Thaçi: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës

Në fjalën që mbajti në Konferencën e 5-të të Ambasadorëve, Presidenti Hashim Thaçi tha se Kosova 10 vite pas shpalljes së pavarësisë është njohur nga 116 shtete dhe anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare.

Hashim Thaçi_5.Büyükelçiler Konferansında.jpg
Kadri Veseli_5.Büyükelçiler Konferansında.jpg
kosova bayragi.jpg
Kosova vizesis seyahat.jpg

Nuk do të ketë ndarje, shkëmbim të territoreve ose Republikë Serbe në Kosovë, porositi edhe njëherë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në hapjen e Konferencës së 5-të dy ditore të ambasadorëve të Republikës së Kosovës.

Thaçi tha se Kosova 10 vite pas shpalljes së pavarësisë është njohur nga 116 shtete dhe anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare që është meritë edhe e diplomacisë kosovare, e cila është një lidhje e rëndësishme e shtetit kosovar me shtetet tjera dhe organizatat ndërkombëtare.

Duke theksuar se për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO me rëndësi të madhe janë marrëdhëniet e mira me të gjitha fqinjët, Thaçi theksoi se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me fqinjët dhe se mbetet edhe arritja e marrëveshjes paqësore me Serbinë. Sipas tij, Kosova në Bruksel asnjëherë nuk ka lejuar, as që do të lejojë të hapen çështjet e ndarjes ose shkëmbimit të territoreve, por gjatë demarkacionit të kufirit Kosova është e gatshme edhe për korrigjimin e kufijve.

“Gjithashtu duke pasur parasysh momentumin ndërkombëtar që është krijuar tani është momenti të hapim tema të bashkangjitjes së Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në territorin e Kosovës. Kjo është kërkesë e kamotshme e Luginës së Preshevës. Si president i vendit e kam pranuar kërkesën e liderëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, kërkesë kjo e institucionalizuar tani, deklaruar në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, që këtë kërkesë ta shtrojmë si kërkesë në dialogun në Bruksel dhe para bashkësisë ndërkombëtare”, tha presidenti Thaçi.

Ai shtoi se marrëveshja me Serbinë do të nënshkruhet vetëm nëse nënkupton njohjen reciproke, ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe nëse është e pranueshme për ShBA-të dhe BE-në. 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se përvjetori i konferencës së ambasadorëve përkon në një moment të ndjeshëm për Kosovën meqë përmes debateve të ndryshme janë shpalosur shumë paqartësi lidhur me dialogun me Serbinë.

Megjithatë, Veseli tha se qëndrimi i Kosovës është i qartë dhe se dialogu me Serbinë doemos duhet të përfundojë me qëllim që vendi të shkojë përpara.

"Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, Kosova është shtet demokratik, Kosova është vend perëndimor, i orientuar tërësisht nga ShBA-të dhe BE-ja. Këto janë parimet të cilat janë për ne të panegociueshme dhe në të njëjtën kohë janë orientimet tona strategjike. Kosova sa i përket territorit është unike, është e pandarë”, tha Veseli.

Ai theksoi se temën e ndarjes së Kosovës e shtyjnë qarqe proserbe dhe proruse, dhe porositi se për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi është i domosdoshëm konsensusi i brendshëm politik, që momentalisht nuk është.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë dhe se është e nevojshme marrëveshje e obligueshme juridike me Serbinë. Ai foli edhe për projektet mbi të cilat punon Qeveria, duke thënë se është shumë e rëndësishme anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe se Forcat e Sigurisë të Kosovës janë të gatshme për transformim në ushtri.

Pas fjalimeve hyrëse u ndanë mirënjohje ambasadorëve të pensionuar si dhe anëtarëve të familjeve të nëpunësve diplomatik. (Anadolu Agency - AA)



Lajme të ngjashme