Luksemburgu mbështet integrimet euroatlantike të Maqedonisë

"Të dashur qytetarë maqedonas ju presim në BE dhe NATO", tha Asselborn duke folur në gjuhën maqedonase në fund të konferencës për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

Luksemburgu mbështet integrimet euroatlantike të Maqedonisë

Të enjten ka qëndruar për vizitë zyrtare në Maqedoni ministri i Jashtëm dhe Çështjeve Evropiane të Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Jean Asselborn, i cili u takua me homologun e tij nga Maqedonia Nikolla Dimitrov.

Gjatë takimit Dimitrov-Asselborn u bisedua për bashkëpunimin e përgjithshëm dhe dypalësh mes dy vendeve, për prioritetet e politikave të jashtme të Maqedonisë si dhe për gjendjen aktuale në vend, me theks të veçantë rreth përgatitjeve të referendumit.

Po ashtu gjatë takimit të sotëm, dy ministrat nënshkruan marrëveshje mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për shkëmbimin dhe mbrojtjen e informatave të klasifikuara.

Pas takimit tet-a-tet, ministrat Dimitrov dhe Asselborn mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov tha se Luksemburgu është një mik i madh i Maqedonisë dhe falënderoi Asselborn për mbështetjen e tij për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

"Dëshiroj të falënderoj homologun tim nga Luksemburgu për kujdesin, urtësinë, përvojën e cila na nevojitet neve këtu dhe në rajon, mirëpo edhe në Bashkimin Evropian", tha Dimitrov.

"Me Jean ky është takimi i tretë dypalësh në një periudhë shumë të rëndësishme në kulmin e fushatës për referendumit më 30 shtator, kur do të vendosim ne dhe qytetarët e Maqedonisë për t'u bërë anëtari i 30-të i NATO-s, me çka do të hapim rrugën evropiane për vendin", theksoi Dimitrov.

- Ky është një përcaktim nëse do të drejtoheni kah e ardhmja apo do të mbeteni në të kaluarën

Ministri i Jashtëm dhe Çështjeve Evropiane të Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Asselborn, gjatë konferencës për media tha se vizita e tij para referendumit është thelbësore.

"Të dy kryeministrat kanë gjetur vullnet politik për të hapur dyert për vendin tuaj. Kjo është një çështje për t'u përcaktuar nëse do të drejtoheni kah e ardhmja ose të mbeteni me të kaluarën", tha Asselborn.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse Luksemburgu do të ndodhej në situatën e Maqedonisë, për të ndryshuar emrin, ai tha se kjo është një çështje delikate.

"Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për emrin në rastin tuaj, por edhe për identitetin e shtetit, kombit, dhe ndonjëherë për të gjetur zgjidhje rruga është e gjatë, por tashmë rezultati është në tryezë dhe nëse unë do të isha maqedonas, do të përgjigjesha me 'po' lidhur me zgjidhjen", tha Asselborn.

"Të dashur qytetarë maqedonas ju presim në BE dhe NATO", tha Asselborn duke folur në gjuhën maqedonase në fund të konferencës për media. (Anadolu Agency-AA)



Lajme të ngjashme