Kosova do të përmbushë detyrimet për “Asociacionin”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Kosova do të përmbushë detyrimet për “Asociacionin”

Presidenti Thaçi, në një konferencë për gazetarët tha se Kosova do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj të marra nga Marrëveshja e Brukselit nga viti 2013, dhe marrëveshjen shtesë të vitit 2015 për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Në kuadër të kësaj është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duke respektuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke respektuar Marrëveshjen e Brukselit, duke respektuar kriteret dhe standardet evropiane për pushtetin lokal, si dhe realitetet e krijuara me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, tha Thaçi.

Ai tha se tema kryesore mbetet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe mundësia për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, paqësore.

“Unë jam i përkushtuar për arritjen e marrëveshjes dhe në kuadër të këtyre përpjekjeve kam propozuar, pas kërkesës së përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, korrigjimin e kufirit me Serbinë, si mundësi e vetme për të legjitimuar kërkesat politike historike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për t’ju bashkuar Kosovës. Kjo nënkupton, jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve dhe jo autonomi për serbët, por korrigjim të kufirit dhe njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Sipas tij, ai këtë kërkesë do ta paraqesë në Bruksel, ndonëse kjo nuk do të jetë e lehtë. Ai theksoi se koha e luftërave ka kaluar, dhe se korrigjimi i kufirit mund të ndodh vetëm me pajtueshmëri të dyanshme.

Thaçi shtoi se matjet që posedon, tregojnë se 91 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin bashkimin e Luginës së Preshevës, ndërsa 98 për qind e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkimin me Kosovën, dhe se politika duhet të mbështetet në respektimin e vullnetit të qytetarëve. Po ashtu, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se propozimi për korrigjimin e kufijve nuk do të thotë krijimin e kufijve etnik, sepse Kosova edhe më tej mbetet shtet multietnik. (Anadolu Agency-AA)



Lajme të ngjashme