Koment - 23 vjet nga “Operacioni Stuhia” në Kroaci

Në përvjetorin e 23-të të operacionit ushtarak të koduar me emrin “Stuhia”, me anë të të cilit Kroacia rivendosi kontrollin ndaj tërësisë territoriale të saj, kroatët ditën e 5 gushtit e kremtuan si fitore ndaj ekspansionizmit serb.

Koment - 23 vjet nga “Operacioni Stuhia” në Kroaci

Agjenda Ballkanike – 23 vjet nga “Operacioni Stuhia” në Kroaci

Kanë kaluar 27 vjet nga fillimi i luftës së Kroacisë, e cila u jetua gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Edhe pse palët në konflikt sot përpiqen për ti zhvilluar marrëdhëniet e mira fqinjësore, dallimet në pikëpamje ndaj atyre që ndodhën gjatë luftës vazhdojnë ende. Në përvjetorin e 23-të të operacionit ushtarak të koduar me emrin “Stuhia”, me anë të të cilit Kroacia rivendosi kontrollin ndaj tërësisë territoriale të saj, kroatët ditën e 5 gushtit e kremtuan si fitore ndaj ekspansionizmit serb. Kurse në Serbi kishte edhe nga ata që shpërbërjen e Republikës Serbe të Krahinës, e cila ishte shpallur brenda territoreve të Kroacisë në fillim të viteve të 90-ta, e ngjasonin me masakrën e Srebrenicës. Gjatë operacionit “Stuhia” pretendohet se janë vrarë 2.500 serbë, ndërsa rreth 200 mijë të tjerë janë dëbuar nga territoret e Kroacisë.        

Edhe pse operacioni “Stuhia” u zhvillua mes datave 4-26 gusht të vitit 1995, pjesa më e madhe e territoreve të Kroacisë, të kontrolluara nga ana e serbëve, u çlirua në 4 ditët e para të operacionit. Një pjesë e serbëve të detyruar të largohen nga territoret e çliruara u vendosën në Serbi dhe një pjesë tjetër në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërkohë që Serbia këtë operacion e përkujton me pikëllim të madh si “spastrim etnik”, kroatët datën e 5 gushtit e kremtojnë si ditën e fitores së luftës çlirimtare. Ndërkohë që autoritetet e Kroacisë deklarojnë se duhet të jenë krenarë për operacionin “Stuhia”, autoritetet e Serbisë, dhanë mesazhe se Serbia kurrë nuk do ti harrojë ato që u jetuan gjatë këtij operacioni.

Nga aspekti i kroatëve operacioni “Stuhia” ka qenë një nevojë qysh prej fillimit të procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Për sa i përket arsyes, serbët e Kroacisë me urdhrin e Beogradit bënë kryengritje dhe në vitin 1991 shpallën “Republikën Serbe të Krahinës”, e cila përket me 1/3 e territorit të Kroacisë. Paralelisht me këtë, nga këto territore, të cilat hynë nën kontrollin e serbëve, u dëbuan kroatët ndërsa pasuritë e tyre u plaçkitën dhe u dogjën. Serbët e Krahinës, me përkrahjen e marrë nga Beogradi, deri në ditën e operacionit mundën ti bëjnë ballë udhëheqjes kroate.

Autoritetet kroate, në çdo rast, theksojnë se operacioni “Stuhia” është kryer në përputhje me rregullat e luftës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Për më tepër operacionin në fjalë në Kroaci cilësohet si ‘kurorëzimi’ i luftës çlirimtare. Duhet theksuar se tre gjeneralë kroatë u gjykuan në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (Tribunali i Hagëa) për krime të luftës në ish-Jugosllavi, mirëpo u shpallën të pafajshëm dhe u lanë të lirë.

Shtrohet pyetja se pse Serbia dhe serbët e Bosnjës nuk shkuan në ndihmë të bashkëkombësve të tyre në Kroaci? Sipas disa pretendimeve Beogradi pranoi të heqë dorë nga Krahina në këmbim të themelimit të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Në atë periudhë disa vende perëndimore rënien e Krahinës e shikonin si një domosdoshmëri nga aspekti i nënshkrimit të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes në Ballkan. Kështu që perëndimorët në korrik të vitit 1995 mbyllën sytë ndaj rastit të Srebrenicës dhe në gusht të po të njëjtit vit lejuan shpërbërjen e Republikës Serbe të Krahinës.

As Zagrebi dhe as Beogradi nuk ishin të gatshëm për të nënshkruar një marrëveshje të paqes pa rënien e Krahinës dhe masakrës së Srebrenicës. Më 21 nëntor të vitit 1995 vetëm 3 muaj pas shpërbërjes së Krahinës dhe masakrës së Srebrenicës u nënshkrua marrëveshja e Dajtonit (Dayton Peace Agreement) mes Presidentëve të asaj kohe të Bosnjë-Hercegovinës, Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Kroacisë, Alija Izetbegoviç, Slobodan Milosheviç dhe Franjo Tuxhman.

 

Pa dyshim se një numër i madh i zhvillimeve të jetuara në rajonin e Ballkanit gjatë viteve 90-të vazhdojnë të mbeten një mister. Ajo që dihet me siguri është se lideri serb Slobodan Milosheviç gjatë operacionit “Stuhia”, ishte në luftë për karrige me opozitarët në Serbi. Nga kjo kuptohet se Milosheviçi, gjatë karrierës së tij politike, shqetësim kryesor kishte karrigen e tij dhe përdori me sukses serbët që jetojnë jashtë vendit për këtë qëllim.

Nuk mund të bëhet fjalë për botimin e një libri të përbashkët të historisë duke i përafruar perspektivat e palëve që kanë luftuar në Ballkan në vitet 1990. Mirëpo të gjithë duhet ti kushtojnë rëndësi mos përsëritjes së gabimeve të bëra në të kaluarën dhe të nxirren mësime nga fatkeqësitë e jetuara. 

Nga Erhan Turbedar 



Lajme të ngjashme