• Video galeri

Koment - Infrastruktura e transportit në vendet e Ballkanit dhe “Procesi i Berlinit”

Bashkimi Evropian është një faktor i rëndësishëm në ristrukturimin e infrastrukturës së transportit në vendet e Ballkanit.

Koment - Infrastruktura e transportit në vendet e Ballkanit dhe “Procesi i Berlinit”

Agjenda Ballkanike - Infrastruktura e transportit në vendet e Ballkanit dhe “Procesi i Berlinit”

Një infrastrukturë cilësore transporti është e nevojshme për të përhapur në rang rajonal zhvillimin e bashkëpunimit dhe proceset e zhvillimit ekonomik në rajonin e Ballkanit. Por infrastruktura e transportit në Ballkan, jo vetëm nga aspekti fizik por edhe nga aspekti i faktorëve si ai i standardeve teknike dhe kapacitetit, është shumë pas mesatares së Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër vendet e Ballkanit, që përpiqen të zhvillojnë infrastrukturën e transportit, përgjithësisht mbeten ballë për ballë problemit të kostos së lartë dhe pamjaftueshmërisë së financimit.       

Nga aspekti i transportit mund të themi se Ballkani zotëron një pozicion strategjik. Si rajon hapësira gjeografike e Ballkanit siguron dalje në Kontinentin e Evropës, Azisë dhe Afrikës dhe lidhet me 6 dete. Disa porte të rajoneve që gjenden në brigjet e Detit Adriatik, Detit Jon, Detit Egje, Detit Marmara, Detit i Zi, dhe Mesdheut sigurojnë zotërimin e lidhjeve më të gjëra ndërkombëtare për Ballkanin.   

Pozicioni gjeografik i Ballkanit, nga aspekti i transportit ajror ofron lidhje të rëndësishme ndaj vendeve të Evropës Perëndimore dhe Qendrore dhe disa vendeve të Lindjes së Mesme. Të gjitha këto bëjnë të vyeshme shqyrtimin e infrastrukturës së transportit të Ballkanit. 

Përgjithësisht infrastruktura e transportit të vendeve të Ballkanit nuk është zhvilluar mjaftueshëm. Për shembull; Sipas të dhënave të  Raportit të Konkurrueshmërisë Globale për vitin 2017, nga aspekti i cilësisë së transportit, ndër 137 vende Bosnjë-Hercegovina zuri vendin e 125-të. Edhe gjendja e rrugëve tokësore të Serbisë, Rumanisë dhe Shqipërisë, ndër 135 vendeve, ishte ndër atyre më të këqijave. Gjendja e Greqisë dhe Kroacisë, që zënë vendin e 49-të dhe 60-të nga aspekti i cilësisë së rrugëve tokësore, është më e mirë se sa gjendja e vendeve të tjera të Ballkanit. Në përgjithësi në vendet e Ballkanit nuk ka autostrada në masë të mjaftueshme dhe rrugët nuk janë në gjendje të përballojnë rritjet që mund të cilësohen të rëndësishme në vëllimin e transportit. Në mënyrë të ngjashme, edhe nga aspekti i rrugëve hekurudhore, gjendja e vendeve të Ballkanit është shumë prapa mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian. Përgjithësisht rrugët hekurudhore në Ballkan janë të vjetra dhe veçoritë teknike janë të këqija. Krahas shqetësimeve që vijnë nga aspekti i veçorive gjeometrike si harqe dhe pjerrtësisë së linjave hekurudhore, fakti se pjesa më e madhe e itinerarit përbëhet prej një shine dhe pamjaftueshmëria e linjave elektrike përbëjnë kufizime të rëndësishme teknike në linjat hekurudhore të vendeve të Ballkanit.    

Një pjesë e madhe e investimeve të transportit në vendet e Ballkanit u realizua gjatë viteve 1970-1980 kurse më pas punimet e mirëmbajtjes dhe riparimit u lanë pas dore. Krahas kësaj shpërbërja e Jugosllavisë, luftërat që ndodhën, embargot, destabilitetet politike dhe ekonomike janë shkaqet themelore, që shpjegojnë pamjaftueshmërinë e infrastrukturës së transportit të vendeve në Ballkan. Edhe periudha e planit qendror, që zgjati për afërsisht gjysmë shekull, përbëri pengesë për zotërimin e rrjeteve konkurruese të transportit në vendet e Ballkanit. Rrugët dhe kufijtë e Ballkanit të asaj periudhe, në vend që të lidhnin vendet e rajonit me njëra tjetrën, kanë shërbyer për të abstraktuar edhe më shumë vendet në fjalë nga njëra tjetra. 

Në raporte të ndryshme edhe institutet, që kanë të bëjnë me sektorin e transportit të vendeve të Ballkanit dhe politikat që ndiqen cilësohen si të dobëta. Gjithashtu bëhet e ditur se pa u vënë në shesh korniza e re ligjore dhe institucionale në lidhje me sektorin e transportit, përpjekjet e vetme në Ballkan për përmirësimin e infrastrukturës së transportit, nuk mund të sigurojnë gjallërimin e vazhdueshëm.     

Bashkimi Evropian është një faktor i rëndësishëm në ristrukturimin e infrastrukturës së transportit në vendet e Ballkanit. Brukseli, që përpiqet për të tejkaluar ndryshimet e theksuara në aspektin e transportit ndërmjet perëndimit dhe lindjes së Evropës, nga njëra anë përhap standardet e transportit tek anëtaret e reja, nga ana tjetër përpiqet të tërheqë në sistemin e transportit të BE-së edhe vendet kandidate dhe potenciale për anëtarësim. Në këtë aspekt Brukseli, përpiqet të përmirësojë infrastrukturën e transportit të vendeve të pranuara në anëtarësimin e BE-së në dy valët e fundit të zgjerimit. Nga ana tjetër, nga  vendet kandidate dhe potenciale kërkohet që sistemet e transportit ti zhvillojnë në mënyrë të përshtatshme me politikat e përbashkëte të transportit të Bashkimit Evropian. Për më tepër Brukseli mbështet me fonde të ndryshme vendet e Ballkanit, anëtare në BE ose që janë duke përparuar në rrugën e anëtarësimit, për të ristrukturuar infrastrukturën e transportit.   

Për shkak të bazës së ngushtë të sektorit privat, në mënyrë që të zhvillohet dhe rritet fuqia konkurruese e infrastrukturës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndjehet nevoja e rrjedhjes së vazhdueshme të kapitalit të huaj.

Me vetëdijen se vështirësi të tilla nuk mund të përballohen lehtë më vete, kohët e fundit vendet e Ballkanit Perëndimor hedhin hapa në nivel rajonal dhe përpiqen të sigurojnë përfitime të përbashkëta dhe ti afrohen edhe më shumë anëtarësimit në BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor, që takohen veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit, krahas zhvillimit të infrastrukturës fizike, bisedojnë edhe për përshtatjen e politikave që ndiqen në sektorin e transportit. Samitet e Ballkanit Perëndimor, që zhvillohen një herë në vit në kuadër të Procesit të Berlinit, janë kthyer në një aktivitet të rëndësishëm rajonal, ku merren në shqyrtim projektet e infrastrukturës, që kanë për qëllim përmirësimin e transportit dhe lidhjeve energjetike në rajon. Samitet në fjalë sigurojnë shtytje pozitive për reformat që nevojiten të zbatohen në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nga Dr. Erhan Turbedar

 


Lajme të ngjashme