Marrëdhëniet turko-shqiptare në kohën e Ataturkut (Pjesa e 28-të)

Kongreset që u mbajtën pas Luftës së Parë Botërore për pavarësinë e Shqipërisë (vijon nga numri i kaluar).

Marrëdhëniet turko-shqiptare në kohën e Ataturkut (Pjesa e 28-të)

Marrëdhëniet turko-shqiptare në kohën e Ataturkut (Pjesa e 28-të)

           Gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore tokat shqiptare dhe ato turke detyrohen të jetojnë fatin e përbashkët. Shtetet e Antantës në procesin e Luftës së Parë Botërore, me qëllim për të tërhequr në radhët e tyre Greqinë me Italinë, tokat e Shqipërisë dhe ato turke i përdorin për të bërë pazarllëqe. 3 pika të Traktatit të Fshehtë të Londrës (pikat 5,6,7) përmbajnë pretendimet e Italisë për aneksim territoresh në Shqipëri dhe planet e Shteteve të Antantës në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë[1]. Sipas këtyre planeve gjatë luftës Shqipëria përballet me pushtime të shumta. 

           Kur fillon punimet Konferenca e Paqes në Paris, e cila u mblodh pas Luftës së Parë Botërore, në Shqipëri vazhdojnë pushtimet e Italisë, Greqisë, Jugosllavisë dhe Francës. Shtetet e Antantës nga njëra anë thonë se po luftojnë për të mbrojtur të drejtat e kombeve të vegjël, kurse në bisedimet që mbahen në Paris në të vërtetë ato veprojnë sikur për qëllim kanë që Shqipërinë 1,5 milionëshe ta lënë në duart e ambicieve të shteteve pushtuese. Kurse shqiptarët nga ana e tyre kërkojnë vetë rrugëzgjidhje për të shpëtuar nga këto pushtime dhe pas kongresit të mbledhur në Durrës arrijnë të krijojnë një qeveri kombëtare të përkohshme. Mirëpo duke qenë se kongresi mblidhet nën influencën italiane, edhe qeveria e re që del nga ky kongres nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh në bisedimet e Konferencës së Parisit. Për këtë arsye nacionalistët shqiptarë me qëllim për të siguruar sërish pavarësinë e vendit të tyre detyrohen që të mbajnë një kongres tjetër kombëtar në Lushnjë[2].

         Kongresi i Lushnjës u hap më 21 janar 1920, por për shkak të pjesëmarrjes me vonesë të delegatëve, punimet kongresi arrin ti zhvillojë ndërmjet datave 28-31 janar. Në kongres marrin pjesë mbi 50 përfaqësues nga e gjithë Shqipëria. Kryetar i kongresit caktohet Aqif Pashë Elbasani[3]. Në kohën që u thirr kongresi çështja e regjimit dhe përfaqësimit të Shqipërisë jashtë vazhdon të jetë akoma e paqartë për arsye se Princi Vidi, i cili e kishte braktisur Shqipërinë në vitin 1914, nuk kishte hequr ende dorë zyrtarisht nga froni mbretëror[4]. Për të eliminuar këtë paqartësi kongresi formoi një Këshill të Lartë, të përbërë nga katër veta, i cili do të përfaqësonte kolegjialisht kryetarin e shtetit shqiptar, derisa ky, ashtu si edhe forma e regjimit, të përcaktoheshin përfundimisht prej një asambleje kushtetuese. Anëtarë të këtij këshilli u zgjodhën Aqif Pashë Elbasani, dr. Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Bej Toptani, figura politike të njohura dhe që, nga pikëpamja fetare, përfaqësonin të gjitha besimet ekzistuese në Shqipëri (atë katolik, ortodoks, sunni dhe bektashi). Kongresi zgjodhi gjithashtu edhe një Këshill Kombëtar (që në fillim u emërtua “senat”), që përbëhej prej 37 anëtarësh dhe që do të kryente funksionet e parlamentit[5].

          Bie në sy se Kongresi i Lushnjës ka anë të përbashkëta për sa i përket përmbajtjes dhe përfundimeve me Kongresin e Sivasit që ishte mbledhur në Turqi nën drejtimin e Mustafa Qemal Pashait. Tek të dyja kongreset marrin pjesë përfaqësues nga krahina të ndryshme të vendit. Tek të dyja kongreset theksohet me vendosmëri pavarësia e vendit. Tek të dyja kongreset në plan të parë del bashkimi për të realizuar objektivat kombëtare duke eliminuar kështu dallimet fetare dhe etnike brenda vendit.

       Duke formuar “Këshillin e Lartë” në Kongresin e Lushnjës dhe “Komitetit Përfaqësues” në Kongresin e Sivasit në të dyja vendet bëhen përpjekje për të realizuar pavarësinë kombëtare. Sërish tek të dyja vendet Komiteti Përfaqësues i përhershëm dhe Këshilli i Lartë i kryejnë detyrat deri në thirrjen e asamblesë kombëtare (kushtetuese). Tek të dyja vendet më në fund mblidhen parlamentet e formuara me vullnetin e popullit dhe i dilet për zot të ardhmes së atdheut.  

        Në Kongresin e Lushnjës rrëzohet qeveria e Turhan Pashës dhe formohet një qeveri e re dhe si ministra caktohen shqiptarë patriotë[6]. Kabineti i ri del kundër pushtimeve në vend dhe deklaron se kufijtë e Shqipërisë janë kufijtë e pranuar në Konferencën e Londrës 1913. Gjithashtu në kongres pranohet edhe një ligj themeltar (kushtetutë), që rregullon normat e drejtësisë dhe Tirana caktohet kryeqytet i vendit[7]. Kongresi vendos për dërgimin në Paris të një delegacioni të ri me qëllim dhënien fund pushtimeve dhe sigurimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë[8].

        Shqiptarët që nga data e shpalljes së pavarësisë thërrasin një kongres kombëtar duke i dalë për zot të ardhmes së tyre dhe përcaktojnë një ideal kombëtar duke krijuar për këtë një qeveri kombëtare. Ideali i nacionalistëve shqiptarë është rifitimi i kufijve të caktuar në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës në 1913 duke  çliruar tokat shqiptare që ishin pushtuar gjatë procesit të Luftës së Parë Botërore. Me synimin për të realizuar këtë ideal shqiptarët marrin një vendim të rëndësishëm, i cili do të siguronte edhe unitetin kombëtar të tyre, dhe në Këshillin e Lartë caktohet nga një përfaqësues bektashi, sunni, ortodoks dhe katolik, pavarësisht raportit të myslimanëve me të krishterët që kishte vendi. Ashtu si në Parlamentin e Parë, që udhëhoqi Luftën Nacionalçlirimtare turke, edhe në Kongresin e Lushnjës shikojmë të përfaqësuar si një tërësi kombëtare çdo grup të shoqërisë. 

          Kongresi i Lushnjës dhe vendimet e tij, ngjarje që zë një vend të rëndësishëm në Luftën e Shqipërisë për Liri e Pavarësi, pasqyrohen edhe në shtypin turk të kohës. Gazeta “Hakimiyet-i Milliye” e datës 20 dhjetor 1920 bën këtë koment: “emërimi i Iljas Bej Vrionit në vend të Sulejman Bej Delvinës, i cili ishte caktuar kryeministër në Kongresin e Lushnjës, e ka afruar Shqipërinë edhe pak më shumë drejt pavarësisë. Në vijim të lajmit gazeta “Hakimiyet-i Milliye” shkruan se Kongresi i Lushnjës ka miratuar vendimin për të luftuar, nëse do të jetë e nevojshme, për rifitimin e pavarësisë dhe lirisë si dhe caktimin e kufijve të Shqipërisë. Për zbatimin e këtyre vendimeve është formuar Këshilli i Lartë, i përbërë nga katër vetë, shkruan gazeta dhe e përfundon lajmin duke thënë se në Shqipëri po bëhen përpjekje për të vënë në jetë vendimet e Lushnjës[9].

          Në kongreset që u mbajtën në një kohë kur Anadolli dhe Shqipëria ndodheshin të pushtuara, nacionalistët fillimisht bënë përpjekje për të siguruar unitetin e brendshëm të vendeve të tyre. Pas kongreseve patriotët në Turqi dhe Shqipëri ndërtojnë strategji edhe për të zhvilluar negociatat, edhe për të organizuar qëndresën kundër pushtimeve në vendet e tyre. Lideri i Luftës Nacionalçlirimtare Turke, Mustafa Qemal e thekson me çdo rast në një formë edhe më të fuqishme mendimin e tij për krijimin e një shteti kombëtar pa kushte dhe të mbështetur në sovranitetin kombëtar. 

           Në shkrimin e ardhshëm do të trajtojmë përpjekjet që shqiptarët e diasporës kanë bërë për pavarësinë e Shqipërisë, duke marrë për bazë Klubin Shqiptar të Ndihmës që ishte krijuar në Stamboll. 

U përgatit nga:Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ 

Burimet dhe literatura kryesore:

Akademıa e Shkencave e Shqıpërısë, Historia e Popullit Sqiptar III (A.S.S. III), Tiran, 2007.

AKŞİN, Sina ve FIRAT,Melek, “İki Savaş Arası Dönemde BalkanlarBalkanlar, Ortadoğu ve Balkan İncelemeleri Vakfı Yayınları, İstanbul, 1993, fq. 97-124.

GIAFFO, Lou, ALBANIA: Eye Of The Balkan Vortex, Xlıbrıs Corporation, United States Of America, 1999.

Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 20 Aralık (Kanunu Evvel ) 1920.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

SAT, Burak Reis, “Arnavutluk: Dün ve Bugün”, Strateji Dergisi, Mart 1996, fq. 139-180.

VICKERS, Mıranda, The Albanians, WBC Ltd., London, 1997.

 


[1]Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Historia e Popullit Sqiptar III (A.S.S. III), Tiran, 2007, s. 78-79., Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq. 22-23.

[2]Halil Özcan, po aty, fq.44-45 .

[3]A.S.S. III, fq. 145.

[4]Burak Reis Sat, “Arnavutluk: Dün ve Bugün”, Strateji Dergisi, Mart 1996, fq. 160.

[5]A.S.S. III, fq. 146.

[6]Lou Giaffo, ALBANIA: Eye Of The Balkan Vortex, Xlıbrıs Corporation, United States Of America, 1999, fq.348.

[7]Mıranda Vickers, The Albanians, WBC Ltd., London, 1997, fq. 94.

[8]Sina Akşin, Melek Fırat, “İki Savaş Arası Dönemde BalkanlarBalkanlar, Ortadoğu ve Balkan İncelemeleri Vakfı Yayınları, İstanbul, 1993, fq. 109.

[9]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 20 Aralık (Kanunu Evvel) 1920.



Lajme të ngjashme