• Video galeri

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 27-të)

Kongreset që u mbajtën për pavarësinë e Turqisë pas Luftës së Parë Botërore (vijon nga numri i kaluar).

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 27-të)

Në 30 tetor 1918 ndërmjet Shtetit Osman dhe Shteteve të Antantës nënshkruhet Marrëveshja e Armëpushimit të Mudrosit. Një ditë më vonë, më 31 tetor Mustafa Qemal Pashai merr në dorëzim në Adana komandën e Gruparmatës “Yıldırım” (Rrufeja). Me t’u emëruar në krye të kësaj truparmate Mustafa Qemali thotë: “Lufta për aleatët ka mbaruar, por për ne lufta për pavarësi fillon tani”. Mustafa Qemal Pashai del kundër dispozitës së paraparë në pikat e armëpushimit për shpërndarjen e ushtrisë dhe fillon nga puna për organizimin e qëndresës popullore. Më 1 nëntor 1918 ai bisedon me Kryeministrin Ahmet Izzet Pasha për një qëndresë të armatosur kundër anglezëve. Në takimin që pati më 4 nëntor 1918 me Ali Fuat Pashën, Pashai i thotë këtij të fundit se “tani populli duhet ti kërkojë dhe mbrojë vetë të drejtat e tij”, si dhe e informon atë mbi krijimin e vatrave të para të qëndresës. Në 3 nëntor 1918 anglezët bëjnë të ditur se duan të zbarkojnë trupa duke pastruar nga minat portin e Iskenderunit. Kurse në 5 nëntor Mustafa Qemali Pashai forcave të varura prej tij u jep urdhrin, ku thuhet “në rast të zbarkimit të ushtarëve (të huaj) në Iskenderun, një gjë e tillë do të pengohet duke përdorur edhe armët, nëse do të ketë nevojë”. Civilëve që kishin ardhur në Adana nga rrethinat, Mustafa Qemali u thotë kështu: “Krijoni që tani një strukturë për t’iu kundërvënë forcave pushtuese dhe për të qenë të gatshëm, në vende të përshtatshme gërmoni dhe përgatisni pozicione e llogore, armët dhe materialet e tjera që do t’ju duhen do t’ua siguroj unë...” Kurse oficerëve të besuar ai u jep direktivën për të filluar përgatitjet për luftën guerile. Më në fund për shkak të këtij qëndrimi Qeveria e Stambollit shpërndan komandën e Gruparmatës “Yıldırım”, komandant i të cilës ishte Mustafa Qemali dhe e thërret pashain në Stamboll. Kur vjen në Stamboll, më 13 nëntor 1918, pashai shikon përballë flotat e Shteteve të Antantës dhe thotë plot besim e vendosmëri “do të ikin ashtu siç kanë ardhur”. Mustafa Qemal Pashai në të vërtetë mendimin e qëndresës e krijon me këto qëndrime që ai mban kundër pushtimeve pas firmosjes së Marrëveshjes së Armëpushimit të Mudrosit. 

Procesin 6-mujor që kalon në Stamboll, Mustafa Qemal Pashai e vlerëson duke bërë përgatitjet për organizimin e qëndresës. Në 19 maj 1919 Mustafa Qemal Pashai dërgohet në Samsun me detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Armatës së 9-të, e dislokuar kjo në brigjet e Detit të Zi. Anglezët dyshojnë mbi veprimtaritë e Mustafa Qemal Pashait në Samsun dhe Havza dhe e thërrasin atë të kthehet në Stamboll. Mustafa Qemal Pashai nuk e respekton këtë thirrje dhe prej këtu kalon në Amasya. Në 21-22 qershor ai publikon Qarkoren e Amasyas dhe ngre krye hapur kundër Qeverisë së Stambollit. Në këtë Qarkore ai thotë se Qeveria qendrore e Stambollit nuk është në gjendje të kryejë detyrat përballë pushtimeve dhe shpreh nevojën e mbajtjes së një kongresi kombëtar në Sivas me qëllim për të krijuar një ekzistencë kombëtare. Një ditë pas publikimit të qarkores Qeveria e Stambollit e shkarkon Mustafa Qemal Pashën nga detyra. 

Mustafa Qemal Pasha përmes Sivasit kalon në Erzurum dhe këtu jep dorëheqjen nga detyra ushtarake që mbante. Në Erzurum ai drejton kongresin vendor që ishte mbledhur këtu. Disa nga arsyet që e bënë të domosdoshme mbajtjen e kongreseve të tilla krahinore ishin pushtimet ose kërcënimet me pushtim pas firmosjes së Marrëveshjes së Armëpushimit të Mudrosit, mungesa e autoritetit të qeverisë qendrore në shkallë vendi dhe nevoja për vetëmbrojtje[1]. Kongreset krahinore nuk mjaftohen vetëm me krijimin e Forcave Kombëtare (Kuvayı Milliye), që ishte forca e qëndresës popullore, por përdorin në të njëjtën kohë edhe vullnetin kombëtar. Në Shtetin Osman me një popullsi 12-13 milionë banorë, duke filluar me mbledhjen e Këshillit Islam të Karsit (Kars İslam Şûrası), i cili u mbajt më 5 nëntor 1918 (gjashtë kongreset e para, Kars-Ardahan-Batum) e deri në Kongresin e Pozantit (8 tetor 1920) mbahen rreth 30 kongrese krahinore. Sipas konstatimeve në këto kongrese marrin pjesë 1.396 vetë (delegatë). Numri i delegatëve që marrin pjesë në kongrese pasqyrojnë një raport të rëndësishëm përfaqësimi. Këto kongrese gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre i qëndrojnë besnik parimit të legjitimitetit demokratik dhe veprojnë në përputhje me normat e pranuara, si dhe krijojnë një sistem ligjor alternativ. Me vendimet e marra dhe praktikat e ndjekura këto kongrese do të bëhen lajmëtare të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM). Megjithëse lindën nga nevoja ushtarake, këto kongrese përbëjnë një model organizimi civil dhe politik që merr nën kontrollin e vet edhe organizimin ushtarak. Në aspektin e qëllimit, kohës dhe hapësirës gjeografike që u shtrinë, kongreset krahinore mbeten të kufizuara, por ato tregojnë qartë se pavarësia mund të arrihet me qëndresë dhe me vullnetin e popullit dhe jo me dorëzim dhe përulje[2].

Kongresi i Erzurum-it, megjithëse ishte një kongres lokal, vendimet që mori pas zgjedhjes së Mustafa Qemal Pashait si kryetar, janë në një shkallë të tillë që do të përfshijnë më vonë të gjithë atdheun. Në pikën e parë të vendimit të tij Kongresi vendos që “atdheu është një dhe i pandashëm brenda kufijve të tij kombëtarë”. Në mesin e këtyre vendimeve kishte edhe nga ato, ku thuhej se “në qoftë se Qeveria e Stambollit nuk do të jetë në gjendje të sigurojë pavarësinë e vatanit, atëherë do të krijohet një qeveri e përkohshme. (...) Në qoftë se Kongresi nuk arrin të mblidhet, atëherë këtë zgjedhje do ta bëjë Këshilli Përfaqësues”. Me këtë dispozitë fuqinë ekzekutive të kongresit do ta përdorë Këshilli Përfaqësues, kryetar i të cilit ishte Mustafa Qemal Pashai. Një pikë tjetër e rëndësishme e Manifestit të Erzurumit ishte edhe kjo: “është parim bazë që Forca Kombëtare (Kuva-yi Milliye) të shndërrohet në një organizatë me ndikim dhe në të cilën do të sundojë vullneti kombëtar”, gjë që tregonte se këtej e tutje në Turqi regjimi politik nga sovraniteti i një personi të vetëm (kalifatit-padishahut) do të kalonte në sovranitetin e popullit. Me parimin “mandati dhe protektorati i huaj janë të papranueshme” kongresi synon një pavarësi të plotë për atdheun. Ndërkohë që kongresi vazhdonte punimet, Qeveria e Stambolli nxjerr një urdhër për arrestimin e Mustafa Qemal Pashait. 

Kongresi i Sivasit, që u mbajt pas atij të Erzurumit, mblidhet nën drejtimin e Mustafa Qemal Pashait me një pjesëmarrje më të gjerë, me delegatë të ardhur nga i gjithë vendi. Tre ditët e para të kongresit kalojnë me diskutimet mbi idetë e mandateve dhe protektorateve të huaja dhe arrihet në përfundimin që një çështje e tillë nuk do të pranohet[3]. Vendimet e marra në Kongresin e Erzurumit, kongresi (Sivas) i pranon si të vlefshme për të gjithë vendin. Edhe në Kongresin e Sivasit formohet Komiteti Përfaqësues i përhershëm i kryesuar nga Mustafa Qemal Pashai. Duke përdorur forcën ekzekutive, Kongresi i Sivasit Ali Fuat Pashain e emëron Komandant të Forcave Kombëtare të Përgjithshme të Anadollit Perëndimor (Batı Anadolu Umum Kuvayı Milliye Komutanlığı). Përveç kësaj Kongresi ndalon korrespondencën e Anadollit me Qeverinë e Stambollit dhe pengon kështu qeverinë qendrore të Stambollit që të qeverisë Anadollin. Përballë kësaj situate të re Qeveria e Stambollit e drejtuar nga Kryeministri Damat Ferit Pasha detyrohet të japë dorëheqjen. Qeveria e re që krijohet nën drejtimin e Ali Riza Pashës dërgon në Amasya Ministrin e Flotës, Salih Pasha dhe këtu ky realizon një takim me Mustafa Qemal Pashën, i cili në bisedime mori pjesë në emër të Komitetit Përfaqësues. Sipas protokollit që nënshkruhet këtu merret vendim për thirrjen e parlamentit duke mbajtur zgjedhje të përgjithshme. Me bisedimet që u zhvilluan në Amasya Qeveria e Stambollit njeh përpjekjen kombëtare që kishte filluar në Anadoll. Ndërsa deputetët që ishin pjesë e lëvizjes kombëtare arrijnë të sigurojnë në mbledhjen e fundit që bëri në Stamboll Dhoma e Përfaqësuesve e parlamentit osman pranimin si “Pakt Kombëtar” të vendimeve që ishin marrë në Kongreset e Erzurumit dhe Sivasit. Miratimi i Paktit Kombëtar sjell pushtimin e Stambollit dhe shpërndarjen e parlamentit osman. Dhe më vonë pushtimi i Stambollit dhe mbyllja e parlamentit përfundon me thirrjen në Ankara të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë. 

Si përfundim Përpjekja Kombëtare Turke, e cila filloi me shkuarjen e Mustafa Qemal Pashës në Samsun, me kongreset që u mbajtën arrin që të sigurojë pjesëmarrjen dhe vullnetin e popullit. Kurse pushtimi i Stambollit dhe shpërndarja e parlamentit bëri që në Ankara të mblidhet një parlament që do të përfaqësonte vullnetin e popullit dhe ky parlament duke vepruar me parimin që “sovraniteti i takon pa kushte popullit dhe vetëm popullit” pranon tashmë që vullneti nga individi (padishahu) kishte kaluar tek populli. Vetëm se kjo solli me vete edhe kryengritje të brendshme, të mbështetura këto edhe nga Qeveria e Stambollit. Por pavarësisht këtyre kryengritjeve të brendshme Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë (TBMM) u jep fund pushtimeve në Anadoll dhe siguron më pas krijimin e Republikës së Turqisë. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ 

Burimet dhe literatura kryesore:

 

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

TANÖR, Bülent, Kurtuluş Kuruluş, Cumhuriyet Kitapları, Genişletilmiş 4. Baskı, İstanbul, Aralık 2002.

 

[1]Bülent Tanör, Kurtuluş Kuruluş, Cumhuriyet Kitapları, Genişletilmiş 4. Baskı, İstanbul, Aralık 2002, fq.74.

[2] Tanör, po aty, fq.74-76.

[3] Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq.45.



Lajme të ngjashme