Maqedoni – Presidenti cilëson të dëmshme marrëveshjen për emrin

"Kjo marrëveshje e dëmshme, e cila është unike në historinë e njerëzimit, për mua është e padenjë dhe e papranueshme. Me atë shkelet Kushtetuta dhe ligjet, si dhe thyhen institucionet shtetërore", tha Ivanov, ndërsa deklaroi se nuk do ta mbështesë atë.

Maqedoni – Presidenti cilëson të dëmshme marrëveshjen për emrin

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në një konferencë për media ka deklaruar se nuk do të mbështes dhe nuk do ta dekretojë marrëveshjen e arritur midis Kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë.

Presidenti Ivanov informoi se për herë të parë i është dorëzuar marrëveshja e arritur ndërmjet Kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Kryeministrit të Greqisë, Alexis Tsipras, në takimin që pati me Kryeministrin Zaev dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në të cilin siç tha ai, i ka thënë Kryeministrit se ajo është “marrëveshja e tyre personale, vendimi i tyre personal dhe përgjegjësia e tyre”.

Presidenti maqedonas tha se kryeministrit Zaev dhe ministrit Dimitrov u ka thënë se kjo “marrëveshje e dëmshme”, sipas tij, paraqet braktisjen e pozicioneve të shtetit, që tashmë janë ndërtuar dhe të cilat u konfirmuan edhe në dy takimet e fundit të liderëve. Këto qëndrime, siç tha Ivanov, janë mosndryshimi i Kushtetutës dhe mospranimi i emrit në përdorim të përgjithshëm.

“Kjo marrëveshje e dëmshme, e cila është unike në historinë e njerëzimit, për mua është e padenjë dhe e papranueshme. Me atë shkelet Kushtetuta dhe ligjet, si dhe thyhen institucionet shtetërore. Nuk do të legalizoj ndërtimet e paligjshme politike. Qeveria nuk ka mbështetur forcën dhe guximin për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët dhe për të arritur një konsensus kombëtar. I gjithë ky proces i negociatave është kryer pa seriozitet, pa përgjegjësi dhe pa transparencë, për të cilën dëshmon edhe rezultati përfundimtar”, deklaroi Presidenti Ivanov.

Sipas Presidentit Ivanov, me këtë marrëveshje nuk parashikohet vetëm “ndryshimi i emrit kushtetutes, por edhe ndryshimi i preambulës dhe të gjitha neneve kushtetuese, ku përmendet emri dhe kushtet, që dalin nga emri Maqedoni”. Ai theksoi se me këtë marrëveshje hapen shumë më tepër çështje dhe probleme, sesa zgjidhen, siç tha ai, pasoja të papranueshme për shtetin dhe popullin maqedonas.

Më tej presidenti Ivanov tha se Greqia ka arritur t’i përmbushë kërkesat maksimale të saj.

“Fuqishëm argumentoj se atë që bëri me maqedonasit në Greqi, tani nëpërmjet kësaj marrëveshjeje po përpiqet ta bëjë me maqedonasit në Maqedoni. Me marrëveshje të tillë nuk forcohet identiteti maqedonas, por degradohen të drejtat tashmë të fituara në Kombet e Bashkuara. Po shkelet besëlidhja e paraardhësve tanë, e atyre që me zemër të pastër krijuan idealin dhe aspiratën shekullore për Maqedoninë tonë të vetme. Shkelet e drejta 73-vjeçare për vetëvendosje dhe shtetësi të popullit maqedonas, fshihet historia 27-vjeçare e shtetit të pavarur maqedonas. Çdo gjë e shenjtë në Maqedoni shkelet, ndërsa u mohohet e drejta dhe krenaria e të palindurve që të jenë maqedonas”, deklaroi Ivanov.

Në adresimin e tij, Ivanov theksoi se Maqedonia po humbet barazinë e saj sovrane që rrjedh nga Karta e Kombeve të Bashkuara, duke bërë thirrje për të ndaluar në abuzimin, siç tha ai, të realizimit të qëllimeve dhe angazhimeve strategjike të vendit.

“Bashkimi Evropian dhe NATO nuk duhet të jenë alibi për një marrëveshje të keqe, e cila do të shkaktojë pasoja të pallogaritshme dhe të dëmshme për interesat shtetërore dhe kombëtare të Maqedonisë. Një marrëveshje e tillë nuk bashkon shoqërinë, por e polarizon atë edhe më tej”, u shpreh Ivanov.

Kujtojmë se kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë për media të mbajtur të martën, informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është zgjidhja e arritur rreth kontestit të emrit që ka vendi me Greqinë. (Anadolu Agency-AA)

 


Lajme të ngjashme