Marrëveshja Maqedoni-Greqi merr reagime pozitive nga ndërkombëtarët

Pas arritjes së marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për kontestin e emrit kanë ardhur edhe reagimet e para nga faktori ndërkombëtar dhe vendet fqinje.

Marrëveshja Maqedoni-Greqi merr reagime pozitive nga ndërkombëtarët

Në reagimet e tyre Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian Federica Mogherini, ndërmjetësi i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Matthew Nimetz, Shqipëria dhe Kosova kanë përshëndetur marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës për emrin e Maqedonisë, raporton

- Mogherini përshëndet përpjekjet e dy kryeministrave

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini ka përshëndetur përpjekjet e dy kryeministrave, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras për vendosmërinë e tyre dhe lidershipin në arritjen e marrëveshjes historike.

"Ky sukses u takon liderëve të të dyja vendeve dhe ekipeve të tyre, por para së gjithash qytetarëve të të dyja vendeve dhe Evropës. Procesi negociues, nën patronazhin e OKB-së dhe me ndërmjetësimin e Nimetz-it dhe mbështetjes së madhe të BE-së, është shenjë e qartë për fuqinë e diplomacisë multilaterale, dialogut, respektit dhe vullnetit për gjetjen e zgjidhjes në të cilin të gjithë janë fitues madje edhe për çështjet më të rënda. Së bashku duhet ta shfrytëzojmë rastin, që gjerë është hapur për t'i bashkuar dhe konsoliduar erërat e paqes dhe bashkëpunimit në rajon", thotë Mogherini.

Ajo në vazhdim shton se "Perspektiva e BE-së për Ballkanin, e konfirmuar para do kohe në samitin e Sofjes, mbetet fuqia më stabilizuese për rajonin dhe ne kemi interes dhe përgjegjësi që ta shfrytëzojmë atë mirë. Kjo ishte nxitja kyçe për këtë marrëveshje në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit fqinjësor".

"Presim tani që Këshilli t'i konfirmojë konstatimet e raportit për progres nga 17 prilli. Jo vetëm është meritore, si mirënjohje e rezultateve të rëndësishme reformuese të vendit, por në mënyrë kritike do të kontribuojë në impelemtimin e plotë të marrëveshjes në interes të të dyja vendeve, rajonit dhe BE-së në tërësi. Tani do t'i shoqërojmë në hapat e radhës me të gjitha mjetet dhe në të njëjtën frymë të dialogut për të ardhmen tonë të përbashkët", thekson Mogherini.

- Nimetz: I inkurajuar nga përkushtimi i dy kryeministrave

Ndërmjetësi i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz, ka uruar arritjen e marrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe është shprehur i inkurajuar nga përkushtimi i udhëheqësve në të dyja vendet.

"E përshëndes ngrohtë paralajmërimin e kryeministrave Tsipras dhe Zaev për zgjidhjen e përbashkët të pranueshme për kontestin e emrit. Dëshiroj t'u uroj të dyja palëve që arritën marrëveshje të suksesshme për zgjidhjen e dallimeve mes tyre. Nuk dyshoj se kjo marrëveshje do ta përmirësojë bashkëpunimin mes dy shteteve fqinje, e veçmas mes njerëzve. Në këtë kontekst, unë jam i inkurajuar nga përkushtimi i udhëheqësive në të dyja vendet për të sjellë përfitime të përbashkët për qytetarët e tyre përmes partneritetit strategjik që është bazë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha sferat", shkruan Nimezt.

Ai më tej thekson se ka qenë nder që ka patur rolin e lehtësuesit mes dy palëve dhe falënderon Sekretarin e Përgjithshëm për mbështetjen e vazhdueshme si dhe të kolegëve tjerë në OKB për kontributin e tyre në këtë proces.

"Dëshiroj t'i uroj edhe të dy ministrat Dimitrov dhe Kotzias të cilët demonstruan lidership, vizion dhe përkushtim në procesin negociues dhe asnjëherë nuk u dorëzuan nga përpjekjet e tyre për të arritur zgjidhje të përbashkët për kombin e tyre por edhe për mbarë rajonin", shkruan Nimetz.

Urime kanë ardhur edhe nga liderët e rajonit si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi.

- Meta: Shumë i gëzuar për marrëveshjen historike mbi emrin e Maqedonisë

Presidenti Meta e ka vlerësuar marrëveshjen si të arritur momentin e shumëpritur. "Shumë i gëzuar për marrëveshjen historike mbi emrin e Maqedonisë. Vjen në momentin e shumëpritur si një perspektivë më e qartë euroatlantike për rajonin tonë. Vlerësim për kurajën e përgjegjësinë e lidershipit politik të dhe që kontribuuan për këtë arritje të rëndësishme", ka shkruar Meta në profilin e tij në rrjetin social Twitter.

Ndërsa në reagimin e ministrit Bushati po nëpërmjet rrjeteve sociale thuhet se "Urime fqinjëve dhe miqve tanë që përparuan duke arritur marrëveshjen mbi çështjen e emrit. Kjo hap rrugën e integrimit në familjen euro-atlantike jo vetëm të një vendi, por për gjithë rajonin. Pavarësisht gjithë veçantive, diplomacia funksionin".

- Thaçi: Ky është lajm i mirë për rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj gjithashtu e kanë përshëndetur arritjen e marrëveshjes historike për çështjen e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.

Në një postim në rrjetet sociale Presidenti Thaçi ka shkruar se në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës, e mirëpret marrëveshjen për çështjen e emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë.

"Ky është një lajm i mirë për të dy vendet dhe për rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së. Është një mundësi e re për të forcuar edhe më shumë paqen dhe stabilitetin në tërë rajonin tonë”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes postimit të tij në rrjetet sociale po ashtu ka theksuar se i gëzohet lajmit të shumëpritur për arritjen e marrëveshjes historike për çështjen e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.

"Lidershipi i të dyja vendeve u tregua i vendosur dhe vizionar për të kontribuar në përmbylljen e një çështjeje të hapur të Ballkanit Perëndimor. Çdo lajm i mirë nga rajoni ynë, na përafron të gjithëve me strukturat dhe vlerat Euro-Atlantike të cilat bashkërisht i synojmë", shkruan Haradinaj. (Anadolu Agency-AA)



Lajme të ngjashme