Kosovë – Ndahet nga jeta presidenti i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë të shtunën pas një ataku kardiak...

Kosovë – Ndahet nga jeta presidenti i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë të shtunën pas një ataku kardiak. Vokrri ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi ka pësuar një sulm në zemër në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Por gjendja e tij u përkeqësua dhe ndërroi jetë në QKUK.

I lindur në Podujevë, Fadil Vokrri njihej edhe si Diego Maradona shqiptar, për shkak të mënyrës si lëvizte dhe forcës me të cilën gjuante. Idhull i të gjithë shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm, Vokrri shkëlqeu me FC Prishtina duke regjistruar madje disa paraqitje për përfaqësuesen e Jugosllavisë. Pikën kulmore Vokrri dhe yjet e tjerë shqiptarë e arritën kur mposhtën Yllin e Kuq të Beogradit në shtëpinë e vet, në Marakana.

Vokrri e nisi karrierën tek KF Llapi, për të kaluar në Prishtinë në vitet '80 të shekullit të kaluar, ku për këtë skuadër në 172 paraqitje shënoi 55 gola.

Pastaj ai u transferua tek Partizani i Beogradit ku në 55 paraqitje arriti të shënonte plot 15 herë. Fadil Vokrri ishte ndër të parët shqiptarë që arriti ta çelte derën për të luajtur në skuadrat e huaja duke luajtur për Nimes dhe Fenerbahçe.

Ai ishte i preferuari i tifozëve të skuadrës turke, por shkëlqimin që e pati arritur tek Prishtina dhe Partizani nuk arriti ta shfaqë plotësisht në Stamboll, ku megjithatë realizoi 13 gola dhe 16 asistime në 43 paraqitje (1990-1992).

Në shkurt të vitit 2008, ai u zgjodh president i Federatës së Futbollit të Kosovës me mandat katërvjeçar. Fadil Vokrri konsiderohet njeriu me më shumë merita për hapjen e dyerve drejt anëtarësimit të Kosovës në qeverinë evropiane të futbollit, UEFA, si dhe në atë botërore, FIFA.



Lajme të ngjashme