Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 23-të)

Lufta e Parë Botërore dhe pushtimi i Shqipërisë (vijon nga numri i kaluar).

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 23-të)

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 23-të)

Në shkrimin e kaluar folëm për pikat e Traktatit të Fshehtë të Londrës që kishin të bënin me Shqipërinë. Kurse sot në vazhdim të temës së fundit do të analizojmë pushtimet e Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore. 

Në fillim do të ishte e dobishme që të rikujtojmë shkurtimisht zhvillimet që rrodhën që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë deri në Luftën e Parë Botërore. Sipas vendimit të Konferencë së Ambasadorëve të Londrës ditën e 7 marsit 1914 Princi Vilhelm Vidi (William Wied) ngjitet në fronin e mbretit të Shqipërisë. Italia, Serbia dhe Greqia, vende që kanë pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, caktimin e Princit Vilhelm në krye të Shqipërisë e përdorin si mjet propagande dhe fillojnë e shkaktojnë trazira në Shqipëri. Për të shtypur lëvizjen për autonomi që shpërtheu në Epirin e Veriut, Vilhelm Vidi (William Wied), kërkon të caktojë me detyrë Ministrin e Brendshëm dhe të Luftës Esat Pashën. Mirëpo Esat Pasha nuk shkon në Epirin e Veriut pavarësisht lutjes dhe këmbënguljes së Princit. Disa ditë më vonë me urdhër të Princit Esat Pashë Toptani merret natën nga shtëpia e tij, dërgohet në një anije luftarake austriake të ankoruar në portin e Durrësit dhe arrestohet. Por si përfundim i një marrëveshjeje të arritur ndërmjet Italisë dhe Austrisë Esat Pasha u dorëzohet italianëve dhe prej këtu lihet i lirë duke e dërguar atë në Napoli me një anije siluruese italiane.   

Dërgimi i Esat Pashës nga Shqipëria, jo vetëm që nuk e vendosi dot rendin e qetësinë, por në vend fillojnë e shfaqen edhe shenjat e revolucionit dhe kryengritjes. Rebelët e mbledhur në Shijak fillojnë dhe e nxisin të gjithë popullin shqiptar në kryengritje kundër Princit “jo-mysliman”. Popullata shqiptare e ngritur në kryengritje pas disa përleshjeve spontane hyn në Durrës përmes kodrave të Rashbullit dhe pushton qytetin. Qëllimi i kësaj kryengritjeje është rrëzimi i princit nga froni dhe caktimi në krye të Shqipërisë i një princi të familjes sulltanore osmane si dhe rikthimi i Esat Pashës në Shqipëri[1].

Në krye të këtyre rebelëve qëndron myftiu i Tiranës Musa Qazimi. Vetëm se katolikët dhe kosovarët në veri si dhe toskët në jug të Shqipërisë i qëndrojnë besnik qeverisë së princit dhe nuk kursejnë asgjë për të mbrojtur Durrësin. Kajmekami holandez kolonel Tomson, nëpunës në strukturën e xhandarmërisë, punon natë e ditë në krye të këtyre patriotëve dhe më në fund bëhet edhe viktimë e detyrës së tij duke u vrarë nga kryengritësit gjatë një luftimi ndërkohë që ishte duke inspektuar ushtarët e frontit[2].

Lufta e Parë Botërore shpërthen në një periudhë kur qeveria e princ Vidit ishte e shtrënguar në mes të dy zjarreve, të kryengritjes vorio-epirote në jug dhe të masakrës dhe kryengritjes së popullatës myslimane në Shqipërinë e Mesme. Princ Vidi shpall menjëherë asnjanësinë e Shqipërisë në këtë luftë. Vetëm se Austro-Hungaria, e cila kishte hyrë në mënyrë aktive në luftë ndërpret ndihmën me vlerë 75 milionë franga që kishte premtuar ti jepte Shqipërisë. Në një situatë të tillë Princ Vidi qeverinë ia lë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) dhe bashkë me punonjësit e afërm të pallatit mbretëror largohet nga Durrësi[3]. Kështu më 3 tetor 1914 merr fund qeverisja e Princ Vilhelm Vidit në Shqipëri, ku ai mundi të qëndronte vetëm gjashtë muaj. 

Esat Pashë Toptani nga Italia kalon në Serbi dhe vjen deri në kufirin e Dibrës, pastaj bashkë me rreth pesë mijë shqiptarë që mblodhi përreth Dibrës hyn në Shqipëri duke mbërritur më pas në Tiranë e Durrës. Kryengritësit ia dorëzojnë qeverinë Esat Pashës[4]. Esat Pasha u afrohet Shteteve të Antantës dhe u shpall luftë Turqisë, Gjermanisë dhe Austrisë. I gjithë populli i Shqipërisë e pret me respekt e nderim Esat Pashën dhe ky i fundit pas formimit të qeverisë fillon punën për vendosjen e rendit dhe qetësisë.   

Siç edhe kuptohet nga këto zhvillime marramendëse Shqipëria për shkak të pozitës së saj gjeografike tërhiqet menjëherë brenda luftës botërore. Pa filluar ende mirë Lufta e Parë Botërore, Shtetet e Antantës, me qëllim për ta tërhequr Italinë dhe Greqinë në krahun e tyre, nuk bëjnë zë ndaj pushtimit që Greqia u bëri në nëntor të 1914 zonave të Korçës dhe Gjirokastrës në Shqipëri. Edhe Italia në 30 tetor 1914 pushton ishullin Sazanit, i cili kontrollon hyrjen në Vlorë, dhe në fund të po të njëjtit vit pushton edhe portin e Vlorës. Në qershor të 1915 serbët pushtojnë Shqipërinë qendrore, duke përfshirë edhe Elbasanin e Tiranën, kurse malazeztë pushtojnë Shkodrën[5]. Në këtë situatë serbët dhe grekët zhvillojnë bisedime të fshehta për copëtimin e Shqipërisë[6]. Siç kuptohet nga këto zhvillime Shqipëria, vend i cili deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore nuk arrin që ta krijojë unitetin kombëtar dhe e privuar tashmë nga mbrojtja osmane, nuk është në gjendje që t’u bëjë ballë dhe ndalojë pushtimet që ndodhën gjatë luftës[7].

Pa kaluar shumë kohë nga krijimi i qeverisë së Esat Pashës, me nxitjen e Austrisë, e gjithë popullata ngrihet kundër Esat Pashë Toptanit. Austria fillon e përhap lajmet për Esat Pashën, që ky është bashkuar me Fuqitë e Antantës dhe është armik i Turqisë. Kjo propagandë e agjentëve austriakë funksionon dhe shqiptarët ngrihen në kryengritje dhe e rrethojnë Esat Pashën në Durrës. Vetëm se forcat e rregullta serbe që erdhën nga veriu pas luftimeve të përgjakshme i shpërndajnë kryengritësit dhe pushtojnë Tiranën duke shpëtuar më pas edhe Esat Pashën. Me ndihmën e serbëve Esat Pasha e fuqizon pushtetin e tij, kap dhe dënon me vdekje krerët e kryengritjes në një gjyq të posaçëm që pashai toptanas organizoi në Durrës. Në krye të këtyre emrave qëndronte myftiu i Tiranës, Musa Qazim Efendiu[8].

Shtetet e Antantës me tërheqjen e Shqipërisë në anën e tyre në fakt e shpëtojnë vendin nga një rrezik më i madh që i kanosej, siç ishte ai serb. Gjatë luftës serbët e malazeztë të shtrënguar në mes të sulmeve gjermane, austriake dhe bullgare strehohen brenda tokave të sigurta shqiptare. Brigjet e Adriatiku, ku zbritja drejt tyre ka qenë një ëndërr e hershme për mbretërit e Serbisë dhe Malit të Zi, luajnë rolin e një vendstrehimi të sigurt për forcat e tyre[9]. Ndërkohë Italia, e cila nuk është dakord që Serbia të fuqizohet në brigjet e Adriatikut dhe të bëhet rivale e saj, synon të ndërtojë matanë detit një shtet të fuqishëm shqiptar[10].

Me përparimin e forcave austriake nga veriu në fund të vitit 1916 serbët dhe malazeztë e boshatisin Shqipërinë dhe me vaporë italianë që u nisën nga portet e Durrësit dhe Shëngjinit transferohen për në Itali. Forcat austriake e pushtojnë Shqipërinë deri në Lumin e Vjosës dhe këtu përplasen me forcat italiane. Në një situatë të tillë qeveria e Esat Pashës bashkë me 500 vetë të armatosur e braktis Durrësin dhe transferohet në Selanik[11]. Në 3 qershor 1917 Italia shpalli proklamatën, nëpërmjet të cilës Roma “shpallte unitetin e pavarësinë e gjithë Shqipërisë”, por duke e vënë këtë “nën hijen dhe nën mbrojtjen e Mbretërisë së Italisë”.[12].

Gjatë Luftës së Parë Botërore pjesa veriore e Shqipërisë deri në Lumin e Vjosës pushtohet nga Austria dhe Serbia, jugu nga Italia, kurse krahina e Korçës pushtohet në vitin 1916 nga Franca. Këto pushtime vazhdojnë deri në shpalljen e armëpushimit më 11 nëntor 1918. Forcat austriake, italiane dhe franceze që pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës së Parë Botërore shpallin secila autonominë në zonën e vet ndikuese. Komandantët e ushtrive hyjnë në garë me njëri-tjetrit për të fituar simpatinë e popullit shqiptar. Madje komandanti francez në Korçë fillon e flet edhe për qeverisjen e vendit me republikë[13]. Mirëpo cili do të ishte qëndrimi i Shtetit Osman ndaj Shqipërisë brenda procesit të Luftës së Parë Botërore?

E ndërkohë që Lufta e Parë Botërore vazhdonte, Shtabi i Përgjithshëm Gjerman me anë të projektit që mban datën 30 maj 1917 u bën të ditur qeverive osmane dhe bullgare mendimet e veta ndaj çështjes së Ballkanit. Sipas kësaj Austria do të marrë Serbinë dhe Mali i Zi me Shqipërinë do të bashkohen me Austrinë. Shteti Osman në përgjigjen që i jep projektit gjerman e shikon të arsyeshme krijimin e emiratit të Shqipërisë dhe drejtimin e saj nga një princ mysliman nën mbrojtjen e Austrisë për të siguruar që ky emirat të jetojë sipas traditave dhe zakoneve të fiseve që përbëjnë shumicën e popullit vendas[14]. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ 

Burimet dhe literatura kryesore:

BIYIKLIOĞLU, Tevfik, Trakya’da Milli Mücadele I. Cilt, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1955.

Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 30 Mayıs 1926.

Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 6 Haziran 1926.

KOLLU, Atilla, “Türkiye-Balkan İlişkileri 1919-1939”, Hacettepe Üniversitesi Atatürk İlke ve İnkılâp Tarihi Enstitüsü, Yayımlanmamış Doktora Tezi, Ankara, 1996.

MACMİLLAN, Margaret, Paris 1919: 1919 Paris Barış Konferansı ve Dünyayı Değiştiren Altı Ayın Hikâyesi, Çev. Belkıs Dişbudak, ODTÜ Yayıncılık, Ankara, 2004.

STEED, Wickham H.,”Italy, Yugoslavia and Albania”, Journal of the Royal Institute of International Affairs, Vol.6, No.3.(May, 1927), pp.170-178.

ŞİMŞİR, Bilâl N., Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Büyükelçilik Anıları(1985-1988), Asam Yayınları, Ankara, 2001.

 


[1]Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 30 Mayıs 1926, fq.3.

[2]Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 30 Mayıs 1926, fq.3.

[3]Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 30 Mayıs 1926, fq.3., Wickham H Steed.,”Italy, Yugoslavia and Albania”, Journal of the Royal Institute of International Affairs, Vol.6, No.3.(May, 1927), pp.172, Bilâl N. Şimşir,Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Büyükelçilik Anıları (1985-1988), Asam Yayınları, Ankara, 2001.

[4]Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 30 Mayıs 1926, fq.3.

[5]Atilla kollu, “Türkiye-Balkan İlişkileri 1919-1939”, Hacettepe Üniversitesi Atatürk İlke ve İnkılâp Tarihi Enstitüsü, Yayımlanmamış Doktora Tezi, Ankara, 1996, fq.193-196.

[6]Margaret Macmillan, Paris 1919: 1919 Paris Barış Konferansı ve Dünyayı Değiştiren Altı Ayın Hikâyesi, Çev. Belkıs Dişbudak, ODTÜ Yayıncılık, Ankara, 2004, fq.353.

[7]Şimşir, 2001:16

[8]Hakimiyeti Milliye Gazetesi 30 Mayıs 1926, fq.3..

[9]Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 6 Haziran 1926, fq.3.

[10]Kollu, 1996:193-196

[11]Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 6 Haziran 1926, fq.3.

[12](Esmer, 1953:69).

[13]Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 6 Haziran 1926, fq.3.

[14]Tevfik Bıyıklıoğlu, Trakya’da Milli Mücadele I. Cilt, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1955, fq.111-112.



Lajme të ngjashme