Turqia do të marrë mish edhe nga Kosova

Pas Bosnjë e Hercegovinës dhe së fundi Serbisë, Turqia do të lejojë importin e mishit edhe nga Kosova.

Turqia do të marrë mish edhe nga Kosova

Turqia do të marrë mish edhe nga Kosova

Pas Bosnjë e Hercegovinës dhe së fundi Serbisë, Turqia do të lejojë importin e mishit edhe nga Kosova. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, me ftesë të Ministrit të Bujqësisë së Turqisë, Ahmet Eshref Fakibaba, ka marrë pjesë në edicionin e 13-të të Panairit Ndërkombëtar për Bujqësi dhe Blegtori, i cili u mbajt në Izmir të Turqisë.

Në hapje të panairit kanë marrë pjesë edhe ministra e zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë nga vende të ndryshme të botës.

Ndërkohë, ministri Rikalo është takuar me homologun e tij turk, Ahmet Eshref Fakibaba. Të dy ministrat biseduan për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në mes të dyja vendeve.

Gjatë këtij takimi të dy ministrat janë pajtuar për nënshkrimin e një marrëveshje tregtare për eksportin e produkteve kosovare me origjinë shtazore dhe bimore, si dhe bagëtive të ndryshme në Turqi.

Në ditët në vazhdim, ata janë pajtuar që të formojnë edhe grupet punuese për jetësimin e kësaj marrëveshje në mes të dyja vendeve. Ministri e falënderoi homologun turk për gatishmërinë e treguar në vazhdimësi që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e mëtutjeshëm në sektorin e bujqësisë dhe theksoi se me realizimin e kësaj marrëveshje hapet një epokë e re e zhvillimit të sektorit bujqësor në mes të dyja shteteve. Nga ana tjetër, ministri Fakibaba shprehi gatishmërinë që krahas kësaj marrëveshje, do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Kosovën në fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori.

***

Ramush Haradinaj merr vizën amerikane

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është pajisur edhe me vizën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këtë e kanë konfirmuar zyrtarët nga kabineti I kryeministrit Haradinaj. Ata kanë thënë se i pari i ekzekutivit pritet që të udhëtojë së shpejti në SHBA për të qenë pjesë e Lutjeve të Mëngjesit në Washington, më 8 shkurt.

Ndryshe, kryeministri kosovar gjatë qëndrimit në SHBA do të ketë takime me kongresistë dhe senatorë, të cilat, sipas Gashit, tashmë janë konfirmuar.

Dhënia e vizës amerikane kryeministrit Haradinaj, pas vonesës së paparë deri më tash, në Kosovë është komentuar që është bërë pasi që kryeministri Haradinaj së fundi ka lëshuar pe sa i përket cështjes së Gjykatës Speciale.

***

Viber e njeh Kodin e ri të Kosovës

Kodi zyrtar telefonik i Kosovës (+383), tashmë ka filluar të hyjë në funksion në disa nga aplikacionet mobile. Së fundmi një njohje të kodit shtetëror të Kosovës e ka bërë edhe aplikacioni Viber, që përdoret në masë të gjerë në Kosovë.

Nga e diela, të gjithë ata që ma parë kanë shfrytëzuar kodet e shteteve tjera si atë të Serbisë (+381), Sllovenisë (+386) dhe Monakos (+377) nga operatorët mobilë dhe telefonat fiks, tashmë nuk kanë nevojë ta bëjnë një gjë të tillë. Ata mund të përdorin kodin +383 dhe të realizojnë thirrjet në numrin e caktuar. Kosova kishte marrë kodin telefonik +383 në dhjetor të 2016, pas arritjes së një marrëveshjeje për telekomunikacionin në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

*** 

Prodhuesit e Kosovës dhe të Shqipërisë bashkë “kundër” qeverive të dyja vendeve

“Bashkimi i prodhuesve Shqiptarë” në bashkëpunim me “Klubin e Prodhuesve të Kosovës” nënshkruan kërkesat specifike drejtuar qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë për zgjidhjen e disa problemeve të tyre. Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj nuk sheh probleme në implementimin e atyre kërkesave

Faza e parë e kërkesave konsiston në problematikat dhe procedurat tarifore dhe jo-tarifore në sektorin doganor. Heqja e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar, import-eksport në relacionin Shqipëri-Kosovë, heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, njohja e certifikimeve dhe analizave fitosanitare, ishin disa nga kërkesat që u paraqiten.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj nuk sheh probleme në realizimin e kërkesave, së paku nga ana e qeverisë së Kosovës.

“Po ju siguroj që ne shumë seriozisht do ti marrim këto kërkesa dhe nuk shoh asnjë problem në implementimin e këtyre kërkesave. Shpresoj se e njëjta vlen edhe nga tjetra anë dhe përfundimisht ti heqim të gjitha taksat e prodhuesve të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe njerëzit të qarkullojnë mallin e tyre lirshëm kudo që donë…”

Filip Gjoka president i klubit të prodhuesve në Shqipëri tha se barrierat në kufi duhet të hiqen në mënyrë që të zhvillohet një treg i suksesshëm.

“Shpresojmë që dy qeveritë këto probleme do ti zgjidhin dhe të krijojnë një realitet që ne gjatë kohë e presim…”.

Kurse Astrit Panxha drejtor ekzekutiv i klubit të prodhuesve të Kosovës theksoi rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës e Shqipërisë.

Kërkesat ndaj dy qeverive parashikohet të realizohen në dy faza. Në rast se qeveritë nuk përmbushin kërkesat sipas afateve, atëherë iniciuesit e këtyre kërkesave do të organizojnë protesta në të gjitha pikat doganore.

***

Rektori i UP-së Marjan Dema në thumb të kritikave

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i është kundërpërgjigjur rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i cili para disa ditësh, përmes një konference për media, pati arsyetuar avancimet akademike të bëra brenda stafit, se janë bërë në bazë të standardeve të UP-së dhe se procesi ka qenë tërësisht transparent.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Bytyqi ka kritikuar reagimin e Demës në lidhje me urdhëresën administrative ‘Parimet e Njohjes se Platformave dhe Revistave Ndërkombëtare me Recension’, për çka, sipas ministrit, “Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, z. Dema, duket se u ndje i atakuar dhe reagoi goxha pa sens profesional madje edhe me të pavërteta”.

“Thënë të drejtën, sjelljen e Rektorit e kam marrë si një dobësi, e jam munduar dhe e kam për detyrë të mos i ndikoj marrëdhëniet tona Ministri – Universitet, edhe pse urdhëresa administrative nuk do sakrifikohet për nivelin e këtyre marrëdhënieve”, ka thënë Bytyqi.

Ai thotë se me të marrë drejtimin e Dikasterit të Arsimit, i ka vënë vetes dy detyra krejt themelore.

“Të mos bëj kompromis me asnjë që nuk jep rezultate, sepse ata që nuk japin rezultate edhe thellojnë të këqijat, dhe të mos cenoj pavarësinë e askujt që nuk më takon”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, cilësia e arsimit kërkon nga ne të reagojmë me punë e të kërkojmë përgjegjësi dhe në kuadër të këtij mëtimi, rezultoi edhe Urdhëresa Administrative për “Parimet e Njohjes se Platformave dhe Revistave Ndërkombëtare me Recension”.

“Duam të sqarojmë opinionin se ne nuk jemi marrë me jetën private të askujt por kemi kërkuar e do vazhdojmë të kërkojmë cilësi në arsimin e lartë kudo në vendin tonë, me këtë edhe në UP ‘Hasan Prishtina’. E garantoj opinionin, Rektorin, e këdo palë interesi se derisa unë të jem në drejtim të këtij dikasteri dhe derisa qeveria Haradinaj do ketë këtë frymë, ne nuk do rreshtim së kërkuari cilësi, dhe kushdo që nuk sjell cilësi do i duhet të vihet para përgjegjësive varësisht nga pozicioni ku gjendet sot”, është shprehur ministri i Arsimit.

***

Hoxhaj përgëzon partitë shqiptare në Ulqin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka cilësuar lajm të mirë atë që ka ndodhur fundjavën që lamë pas, në zgjedhjet lokale në Ulqin.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Hoxhaj ka përshëndetur suksesin e shqiptarëve në zgjedhjet lokale në Ulqin.

“Dua t’i përgëzoj partitë shqiptare për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të së dielës", ka shkruar Hoxhaj. 

"Mandatet e fituara për qeverisjen e Komunës së Ulqinit i shndërrojnë partitë shqiptare atje në faktor zhvillimi, mirëqenieje dhe stabiliteti për të gjithë qytetarët e Ulqinit. Urime!”, ka thënë zëvendëskryeministri kosovar.

***

Thaçi: "Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike Dimërore, një tjetër fitore për Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot, ia ka dorëzuar flamurin shtetëror Albini Tahirit, i cili do të jetë sportisti i vetëm që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Dimërore PyeongChang 2018.

"Pjesëmarrja e Albin Tahirit në Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang 2018 të Koresë së Jugut është një tjetër fitore për Kosovën në dhjetëvjetorin e pavarësisë.

Në mesin e shumë shteteve, ai do ta përfaqësojë flamurin tonë, të cilin sot ia dorëzova në mënyrë solemne.

Pjesëmarrja e Kosovës në Pyeongchang 2018 është një jetësim i ëndrrës së shumë gjeneratave të sportistëve tanë", ka shkruar presidenti Thaçi në profilin e tij në Facebook.

***

Labinot Tahiri “i bie pishman”, tërheq nënshkrimin për shfuqizim të Speciales

Deklarimet e liderëve politikë dhe shtetërorë kundër shfuqizimit të Speciales pas presionit ndërkombëtar, si duket kanë ndikuar edhe tek deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri i cili ka tërhequr nënshkrimin e tij për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Tahiri përmes një postimi në Facebook.

“Qytetarë të dashur, e kam tërhequr nënshkrimin tim, të cilin e dhashë para një muaji për ndryshimin e dhomave të specializuara. Duke pasur prasysh se shumë akterë politikë po luajnë me ndjenja të popullatës, unë nuk jam njëri ndër t’a. Kam nënshkruar me loqkën e zemrës për ata mijëra luftëtarë duke menduar se është një gjë e mirë për të cilën e çmova luften për Liri, të cilën do ta çmoj përjetësisht. Pa dyshim se Gjykata Speciale është e demshme për Kosovën. Unë nuk bëj pjes në kalkulimet politike, nuk jam kalkulant.
Nuk jam vegël e asnjërit lider politik apo person i cili bën kalkulime personale për t’ia lënë patatet e nxehta në duar tjetërkujt, gjë që i bie se kërkesa ( iniciativa) ka mbetur në dorën e deputetëve, e cila nuk është në dorën e Deputetëve, ka shkruar Tahiri në Facebook, duke i informuar për këtë edhe ambasadorët e shteteve të Quintit.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme