Turqia mbështet Forcat e Armatosura të Shqipërisë

“Turqia mbështet Forcat e Armatosura të Shqipërisë me një grant rreth 1 milion dollarë në vit”, tha ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka në diskutimet për projektbuxhetit të Mbrojtjes për vitin 2018.

Olta Xhaçka_Nurettin Canikli_Brüksel.jpg
Hidayet Bayraktar_Tiran_Atatürkü Anma töreni.jpg
ALSAR_Mehdi Gura.jpg
ALSAR ve IHH yetimler için program_02.jpg
Naim Ternava_Shkoder.jpg

Agjenda Shqiptare - ALSAR dhe IHH nga Turqia pranë jetimëve të Shqipërisë

-Ministeriali i NATOS-s

Ministeriali i NATO në nivelin e ministrave të Mbrojtjes, që u mbajt në datat 8 dhe 9 nëntor në Bruksel konfirmoi vlerësimin që aleatët e Shqipërisë në NATO kanë për Forcat e Armatosura shqiptare.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, gjatë qëndrimit në Bruksel, ku mori pjesë në Ministerialin e NATO-s, zhvilloi një takim me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Nurettin Canikli.

Në njoftimin zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë theksohet se, Xhaçka gjatë takimit me homologun turk, por edhe me homologët e tjerë, theksoi vlerësimin që aleatët e Shqipërisë në NATO kanë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Gjithashtu, ministrja mbajti fjalën e saj në emër të qeverisë shqiptare, mes të tjerash në takimet e nivelit të lartë si: Takimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut, apo Takimi i Ministrave të Mbrojtjes në kuadrin e luftës kundër organizatës terroriste DAESH, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministeriali i NATO dhe takimi me sekretarin e Përgjithshëm, zotin Stoltenberg, por edhe takimet bilaterale me homologët reciprokisht anglez, italian, turk, kanadez, letonez dhe kroat, me të cilët trupat tanë operojnë në disa nga zonat më të nxehta të konfliktit evindentuam vlerësimin e jashtëzakonshëm për kontributin e burrave dhe grave shqiptare nën uniformë, të cilët na bëjnë krenarë me profesionalizmin dhe përkushtimin në të gjitha misionet, por kryesisht në Afganistan dhe detin Egje duke shpëtuar jetë njerëzish, por edhe duke projektuar siguri për vendet e konfliktit, por edhe për gjithë Aleancën. Këto takime ishin një mundësi shumë e mirë për të rikonfirmuar angazhimin e qeverisë shqiptare, për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipëria ka përkundrejt Aleancës, si dhe detyrimin për të bërë të mundur, që buxheti dedikuar Mbrojtjes të arrijë në masën 2% të PBB deri në vitin 2024. Sa i takon misioneve tona paqeruajtëse, shumë shpejt unë do të vizitoj kontingjentin tonë në Afganistan, për të ndarë me ta ndjesinë e fortë të krenarisë që secili prej nesh ka, për punën e jashtëzakonshme që po bëjnë por edhe për të shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare për çdo efektiv por edhe për familjet e tyre”, tha ministrja Xhaçka në përfundim të takimit.

Pak javë më parë ministrja Xhaçka, gjatë një takimi në Komandën e Forcës Tokësore, dha lajmin se Shqipëria i është përgjigjur kërkesës së strategjisë së re të presidentit amerikan Donald Trump për Afganistanin, duke shtuar me një togë numrin e ushtarakëve shqiptarë në misionin Resolute Support.

***

-Turqia mbështet Forcat e Armatosura të Shqipërisë

Modernizimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare dhe stërvitjet brenda apo jashtë vendit, ishin pikat kryesore të projektbuxhetit të Mbrojtjes për vitin 2018, i cili u prezantua nga ministrja Olta Xhaçka në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare. 

Projektbuxheti i Mbrojtjes për vitin e ardhshëm ka një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin e kaluar duke arritur në vlerën e 1,2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe sipas ministres Xhaçka i përgjigjet më së miri nevojave të Forcave të Armatosura në përmbushjen e misionit të tyre.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit, ministrja e Mbrojtjes konfirmoi se Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD) është në funksion të plotë dhe punon pa asnjë ndërprerje.

Buxhetin do ta ndihmojnë me asistencën e aleatëve me grande për vitin 2018. janë 230 mjete të blinduara, dhuratë e qeverisë amerikane që nëse do të bliheshin të reja do të kapeshin vlerën 40 milonë dollarë. Në fund të këtij viti gjithashtu ministria e italiane e mbrojtjes 5000 armë automatike vlera e të cilave nëse do të bliheshin do të kapte rreth 7 milion euro. Po ashtu përfitojmë nga grandi i përvitshëm turk, rreth 1 milion dollarë në vit ...Sistemi i vëzhgimit te hapësirës detare është plotësisht funksional dhe në gatishmëri te plotë operacionale. Sistemi punon pa ndërprerje dhe personeli ushtarak punon 24 orë në ditë, 7 ditë të javës për të zbatuar detyrën...”, u shpreh ministrja Xhaçka, duke kërkuar të mos hidhet baltë mbi ushtarakët, të cilët ajo i konsideroi si njerëz të përkushtimit dhe sakrificës.
Gjithashtu ministrja Xhaçka iu përgjigj edhe interesit dhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, në lidhje me projektbuxhetin e Mbrojtjes për vitin 2018.

***

-Në Tiranë, ceremoni përkujtimore për Ataturkun

Në Shqipëri është mbajtur ceremoni përkujtimore me rastin e 79 vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk.

Në ceremoninë e organizuar në Ambasadën e Turqisë në Tiranë, ku punonjësit e saj dhe të institucioneve turke kanë mbajtur qëndrim nderi duke përkujtuar Ataturkun, të pranishëm kanë qenë Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës.

Ambasadori e Republikës së Turqisë, Bajraktar, gjatë ceremonisë përkujtimore tha se Ataturku ishte simbol i paqes dhe stabilitetit dhe një lider, ushtar me vlera të larta njerëzore i respektuar nga gjithë bota.

Kujtojmë se në të gjithë Turqinë u mbajtën ceremoni të ndryshme përkujtimore me rastin e 79-vjetorit të ndarjes nga jeta të Mustafa Kemal Ataturk.

***

-ALSAR dhe IHH nga Turqia organizuan takim vjetor për fëmijët jetimë të Shqipërisë.

Fondacioni “Alternativa e së Ardhmes” organizoi në Tiranë takimin vjetor kushtuar fëmijëve jetimë "Ndihmesa për jetimin, ndihmë e shquar për shëndetin moral të shoqërisë", ku u realizua dhe shpërndarja e ndihmës monetare për fëmijët pjesëmarrës.

Në aktivitetin, ku ishin të pranishëm rreth 2000 fëmijë jetimë nga e gjithë Shqipëria, merrnin pjesë përfaqësues të Ambasadës së Turqisë, Bashkisë së Tiranës, etj, ndërsa donacioni monetar ofrohet nga fondacioni Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) nga Turqia.

Gül Sarıgül, këshilltare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë theksoi se një prej hallkave më të rëndësishme të forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë janë edhe çështjet e shërbimit humanitar dhe njerëzor.

Një prej hallkave më të rëndësishme të forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë, sikurse kanë qenë edhe gjatë gjithë historisë vijojnë të jenë çështjet e shërbimit humanitar dhe njerëzor. Si Ambasadë e Republikës së Turqisë në Shqipëri,  jemi mbështetje dhe çelësi numër një për mbarëvajtjen e zhvillimeve politike, ekonomike dhe padyshim dhe atyre sociale mes dy shteteve mike, Shqipërisë dhe Turqisë. Një prej urave lidhëse më të rëndësishme, përveç historisë së hershme, si në aspektin historik, ashtu dhe në aspektin kulturor, politik dhe ekonomik, një prej elementëve më të rëndësishme është edhe ngrohtësia njerëzore që ne shfaqim mes dy popujve”, theksoi Sarıgül.

Ndërsa, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra u shpreh se është viti i 10-të që ky fondacion organizon këtë aktivitet me jetimët dhe se numri i tyre vitin e ardhshëm do të rritët, duke shkuar në 3500 fëmijë.

Pas aktivitetit të organizuar nga fondacioni ALSAR, në një lidhje telefonike me kryetarin e këtij fondacioni, z. Gurra për Zërin e Turqisë u shpreh:

“…Fondacioni ALSAR i themeluar në vitin 2006, aktivitetin e tij me jetimët e filloi në vitin 2008.  Fillimisht nisëm me përkrahjen e 38 jetimeve në shkallë vendi, por nga viti në vit ky numër erdhi në rritje nga 38 jetime që ishin në vitin 2008 momentalisht kemi një numër me 3141 jetimë.

Fondacioni jonë me ndihmesën që jep për jetimët nuk bënë asnjë dallim feje apo krahine. Jetimët e fondacionit ALSAR janë te moshës nga zero deri në përfundim të shkollës. Momentalisht fondacioni ALSAR mbështet fiinanciarisht disa jetimë që kanë mbushur moshën madhore dhe janë regjistruar në universitete e Republikës së Shqipërisë, gjithashtu një pjesë e jetimëve tanë aplikojnë për të studiuar jashtë Shqipërisë, kryesisht në medresetë e Turqisë dhe në universitetet turke. Deri tani numri i studentëve të dërguar nga fondacioni jonë janë 148.

Sigurisht nuk mund të le pa përmendur dhe çështjen dhe ndihmën mjeko-ligjore, ndihmën psikologjike që japim nga fondacioni  jonë, ku deri tani  janë trajnuar 142 jetime tek psikiatri që është i punësuar pranë fondacionit tonë.

Nga ana tjetër, nuk mund të le pa përmendur se fondacioni ALSAR kujdeset dhe  për orenditë shtëpiake apo kushtet ku ato jetojnë. Pikërisht për këtë kemi ndërtuar 12 shtëpi, kemi riparuar 25 prej tyre si dhe kemi mobiluar 34 shtëpi të fëmijëve jetim.

Sigurish së tërë aktiviteti i fondacionit tonë është i mbështetur nga  partnerë të ndryshëm nëpër botë. Momentalisht numërohen 26 prej tyre që janë në shtete të ndryshme të botës, ku partneri  kryesorë është Turqia dhe institucionet shtetërore turke në Stamboll, Ankara, Konya etj.

Me këtë rast dëshiroj të falënderoj gjithë donatorët që japin ndihmën e tyre si për jetimët, ashtu edhe për punën dhe realizimin e  projekteve të ndryshme.

Gjithashtu, dua të falënderoj mediat vizive dhe te shkruara të Turqisë që herë pas here na kanë ndjekur dhe pasqyruar me detaje të gjitha aktivitetet e fondacionit tonë, veçanërisht dua të falënderoj TRT-në, Zërin e  Turqisë me programet e saja në shqip, të cilat na kanë ndjekur dhe pasqyruar gjerësisht aktivitetin tonë.

Dhe një herë faleminderit të gjithë atyre që me kontributin e tyre, me duatë-lutjet e tyre mundohen të jenë pranënjerëzve në nevojë në Republikën e Shqipërisë…” 

Në përfundim të aktivitetit të pranishmit ndoqën edhe një program artistik. 

***

-Policia turke vazhdon trajnimet për Policinë shqiptare

Policia e Turqisë vazhdon kurset e trajnimit për oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë dhe të drejtorive vendore në fusha të ndryshme.

Trajnimi i fundit është realizuar për hetimin kundër krimit të organizuar, ndërsa është organizuar në Akademinë e Sigurisë në Tiranë ceremonia e ndarjes së çertifikatave për punonjësit e Policisë së Shqipërisë që kanë ndjekur këtë trajnim. Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Shqipëri, të Akademisë së Sigurisë në Tiranë dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Turke.

Gül Sarıgül, këshilltare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë gjatë fjalës në aktivitet theksoi se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë të mbështetura në një miqësi të vjetër gjithmonë po zhvillohen akoma më shumë në të gjitha fushat. 

Zv.drejtori i Akademisë së Sigurisë në Tiranë, Artan Shkëmbi, gjatë fjalës së tij u ndal tek bashkëpunimi dhe mbështetja që Turqia i ka dhënë Policisë së Shqipërisë në trajnimin e punonjësve të saj. Ai theksoi se njohuritë e marra në këtë trajnim për hetimin kundër krimit të organizuar do të jenë të dobishme për punën e përditshme të oficerëve të policisë shqiptare të trajnuar nga kolegët turq.

Ndërsa, Fatih Akcaglayan, përfaqësues nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Turke theksoi se për sa i përket trajnimit ishin pesë ditë intensive. Ai shtoi se "Në fushën e trajnimeve do të ketë edhe shumë gjëra të tjera për t'u realizuar dhe ky trajnim është vetëm fillimi. Dëshiroj që kolegët shqiptarë të vijnë për trajnime në Turqi, për çështje të ndryshme, edhe për çështjet e luftës kundër terrorit dhe kundër krimit organizuar. Si drejtori e përgjithshme e policisë jemi të gatshëm për të ofruar çdo ndihmë", u shpreh Akcaglayan.

Vlen të përmendet se në shtator të këtij viti oficerët e antiterrorit të Policisë së Shqipërisë janë trajnuar nga kolegët e tyre të Drejtorisë së Antiterrorit të Policisë së Turqisë, në lidhje me “informimin për terrorizmin dhe parandalimin e akteve terroriste”, ndërsa trajnimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. 

***

- Shqipëria dhe Kosova, axhendë e përbashkët për diasporën 

Shqipëria dhe Kosova do të kenë një axhendë të përbashkët për organizimin e diasporës.

Ministri i Shtetit për Diasporë, Pandeli Majko takoi në Tiranë homologun e tij, Dardan Gashi, me të cilin u ra dakord që dy vendet të firmosin dy marrëveshje në mbledhjen e përbashkët të qeverive.

Pika kryesore do të jetë ngritja e qendrave të përbashkëta kulturore, që do të kenë si qëllim unifikimin e aktiviteteve në diasporë.

Majko tha se “Ne kemi një Migracion shumë të suksesshëm nga pikëpamja individuale, ndaj po përpiqemi të bëjmë një strategji në funksion të detyrimit që Shqipëria dhe Kosova kanë ndaj qytetarëve të tyre jashtë kufijve shtetërorë”.

Ndërsa, Gashi, duke folur për rëndësinë e qendrave kulturore theksoi se “ato do të kenë në fokus edhe arsimin, mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha viseve shqiptare”.

Kujtojmë se në Korçë më 27 nëntor dhe në Vlorë më 28 nëntor të këtij viti janë planifikuar të mbahen dy mbledhjet e përbashkëta mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës.

***

-Myftiu i Kosovës, Tërnava viziton Shkodrën 

Në kuadër të aktiviteteve në përkujtim të rilejimit me ligj të fesë në Shqipëri, pas 23 vitesh persekutimi dhe ndalimi të aktivitetit fetar në Shqipëri, Myftiu i Republikës së Kosovës, dhe njëherësh kryetar i Bashkësisë islame, Naim ef. Tërnava gjatë një vizitë zyrtare në Shkodër mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Parrucës.

Hytbeja e Myftiut Tërnava kishte një vlerë të madhe për mesazhet e urta dhe largpamëse, duke bërë thirje për paqe dhe dashuri në mes të gjithë njerëzve...

“…Edhe ne jemi të urdhëruar që ti qëndrojmë besnik fjalës së Zotit xh.sh. që atë ta shtjellojmë, ta shpjegojmë, ta puntojmë tek masa e gjërë ashtu si na ka porositë i Madhi Zot dhe ashtu si na ka porositë Muhammedi a.s. duke mos lejuar askënd që për interesa ç’farëdo lloj qofshin të ndikojë në interpretimin e fjalës së drejtë jo drejtë dhe jo mirë. Duke u munduar që disa ti japin Islamit atë dukjen që nuk e meriton dhe nuk e ka Islami, sepse mbi të gjitha Islami është fe e paqes, e ardhmërisë e bujarisë, është fe e sinqeritetit, fe e familjes, e individit shoqërisë fe që respekton çdo njërën pavarësisht se ku jeton e ku punon, e shtrinë dorën e bashkëpunimit me të gjithë në çdo segment të jetës… Më 16 Nëntor 1990 (datë historike-rilejimi i besimit fetar) Shkodra u rizgjua, Shkodra e mori vehten dhe u bë simbol i tërë Shqipërisë…”

Myftiu i Kosovës gjatë fjalës së tij gjeti rastin për të falënderuar të gjithë shqiptarët për kontributin e vyer të dhënë gjatë periudhës së luftës së Kosovës në vitin 1999.

“…Ju falënderoj juve dhe tërë Shqipërinë për atë që keni bërë ju në vitin 1999 për vëlllezërit tuaj kosovarë, të cilët të shtyrë nga dhuna e egër e Beogradit u detyruan të lëshojnë trojet e tyre. Ndaj për të gjithë ato nënat tona që përgatitën ushqim, ato motrat tona në shtëpitë tuaja, juve të nderuar të pranishëm dhe baballarë dhe të gjithë vëllezërit tanë që dhanë kontribut, Zoti ju faltë të gjitha të mirat në këtë botë dhe në botën tjetër të amshuar…”

Në këtë vizitë vëllazërore, Myftiu Tërnava zhvilloi një vizitë në Myftininë e Shkodrës, ku u prit nga Myftiu, imam Muhamed Sytari, i cili e falënderoi Myftiun e Kosovës për këtë vizitë të shënuar, sidomos kur ajo vjen në këtë periudhë të vitit që ka një rëndësi të posaçme për myslimanët e Shkodrës, që përkon me përkujtimin e përvjetorit të rihapjes së Xhamisë së Plumbit, më 16 nëntor 1990.

Me këtë rast, Myftiu i Shkodrës i dorëzoi Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, një "Certifikatë Mirënjohjeje", për kontributin e tij të shquar në shërbim të vlerave më të spikatura islame dhe kombëtare, si dhe për qëndrimet e tij dinjitoze në mbrojte të trashëgimisë islame e kombëtare dhe përhapjes së paqes sociale…

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme