Shqipëri – Berati, qyteti më i vizituar i vitit, mes joshjes turistike dhe plehrave

Berati, një nga pasuritë kulturore botërore të mbrojtura nga UNESCO, rekomandohet në guidat turistike të gjithë Europës, por në qytet "sundojnë" plehrat...

Shqipëri – Berati, qyteti më i vizituar i vitit, mes joshjes turistike dhe plehrave

Berati, një nga qytetet më të vizituar në vitin 2017, me një numër rekord turistësh që shkon më shumë se 60 mijë, me një mesatare qëndrimi në qytet 2.6 netë dhe me një mesatare shpenzimesh rreth 140 euro për turist, Por, qytetarët e tij ngrenë një problem tepër shqetësues për menaxhimin mjedisor të qytetit  të tyre. Pastrimi i qytetit dhe hedhja e plehrave vend e pa vend është shqetësimi mbareqytetar.

Qyteti i Beratit, një nga pasuritë kulturore botërore të mbrojtura nga UNESCO, rekomandohet  në guidat turistike të gjithë Europës. Dhe sapo hyn në qytet, pikërisht tek Ura e Goricës, te një monument kulture që lartësohet me gurë mbi shtratin e lumit Osum, sheh grupe të mëdha turistësh të huaj. Shumica janë  nga Gjermania, Italia, Hollanda, etj, që pëlqejnë turizmin kulturor, një turizëm që Berati ta ofron në çdo cep të tij.

Ata bëjnë foto përballë lagjes Mangalem, ku shtëpitë e vjetra të periudhës otomane me 1 mijë dritaret e tyre një mbi një, janë një veçanti arkitekturore.

Deri më tani, nga janari në shtator të këtij viti, këtë qytet e kanë vizituar më shumë se 60 mijë turistë, sipas  bashkisë së Beratit, një rritje me 35 për qind nga vitet e shkuara. Sipas llogarive që ka bërë bashkia, çdo turist kalon mesatarisht 2.6 netë në Berat dhe shpenzon mesatarisht 140 euro për person gjatë qëndrimit në qytet.

Një shifër shpresëdhënëse për zhvillimin ekonomik të qytetit në tërësi dhe rritjen e të ardhurave në sektorin e turizmit me të cilin ushqehet një pjesë e madhe e banorëve të këtij qyteti, duke menaxhuar bujtinat, duke shituar produktet artizanale, ose me baret e restorantet.

Por, optimizmin për një të ardhme dhe më të ndritur të qytetit e prishin plehrat. Ky qytet nuk ka një landfill të mirëfillte dhe në lumin Osum hidhen mbetjet e gjithë zonës.

“Too much rubbish” (shumë plehra) thonë turistët me keqardhje, ndërsa duke uruar që kjo situatë të zgjidhet ata vendosin të mbyllin një sy dhe të shijojë bukuritë që ofron qyteti, blejnë punime artizanale, apo provojnë ushqimet e shijshme që gatuhen në këtë zonë.

Menaxhimi i plehrave është një problem i njohur dhe akoma i pazgjidhur.

Bashkia Berat pret që të zbatojë një projekt të financuar nga qeveria zvicerane dhe qeveria gjermane përmes projekteve të SECO dhe KFV.  Ky projekt konsiston në ngritjen e një landfilli të ri që do të zgjidhë hallin për Beratin dhe 3 bashki të tjera aty afër, Ura Vajgurore, Kuçova dhe Skrapari.

Aktualisht, bashkia e këtij qyteti i depoziton mbetjet në një vendgrumbullim të pozicionuar në hyrje të qytetit, buzë lumit Osum.

Berati nuk të ofron vetëm turizmin kulturor dhe historik me kalanë dhe lagjet e vjetra të mbrojtura nga UNESCO, vendbanimet e lashta ilire,etj. Ai është gjithashtu bujtës i turizmit natyror, aventuresk me ata që duan të bëjnë ecje në malin e Tomorrit, apo të vizitojnë kanionet e Skraparit, një tjetër atraksion që ka shtuar vizitorët vitet e fundit.



Lajme të ngjashme