Shqiptarët e Malit të Zi të pakënaqur nga ligji për Planifikim dhe Zhvillim

Deputeti i koalicionit shqiptar Genci Nimanbegu thotë se ligji ua merr kompetencat komunave dhe nuk është konformë standardeve evropiane.

graani-podgorice-uivaju-u-lijepom-vremenu-prv_trt-bosanski-40702.jpg
Karadağ_Ulqin_Ülgün_genel resim.jpg
Karadağ Sahilleri.jpg

Mozaik nga Mali i Zi – Shqiptarët të pakënaqur nga ligji për Planifikim dhe Zhvillim

Parlamenti i Malit të Zi me 41 vota pro të deputetëve nga koalicioni qeverisës miratoi vendimin për planifikim dhe zhvillim dhe ndërtim të objekteve. Përpunuesi i këtij projektligji thotë se me miratimin e tij synohet rregullimi ligjor i hapësirave, sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm të territorit nëpërmjet përdorimit racional të tokës dhe të burimeve natyrore. Edhe pse pjesë e Koalicionit Qeveritar kundër këtij ligji votoi deputeti shqiptar Genci Nimanbegu. Ai ofroi një numër të madh amendamentesh, por asnjëri nga to nuk u mor në konsideratë. Z. Nimanbegu në një intervistë për Zërin e Turqisë thotë se miratimi i këtij ligji ua merr komunave kompetencat dhe si i tillë ky ligj nuk është konformë standardeve Evropiane.

Koalicioni i shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi do të analizojë hollësishëm pasojat e këtij ligji dhe konformë analizës do të vendosë për hapat e mëtutjeshme me partitë partnere të koalicionit qeverisës.

G. Nimanbegu; “Me miratimin e këtij ligji, komunat nuk do të jenë më në gjendje që vetë të vendosin për territorin e tyre. Ligji në fjalë është në kundërshtim me politikat e shprehura dhe marrëveshjet e nënshkruara midis partive të Popujve Pakicë në Mal të Zi dha Partisë në pushtet, asaj Demokratike të Socialistëve. Me miratimin e këtij ligji nuk shoh ndonjë përparësi, andaj do të propozoj që subjektet e Koalicionit që unë i përkas të ulemi dhe të analizojmë pasojat e këtij ligji dhe shqyrtojmë në mënyrë të detajuar hapat e mëtutjeshme”.

Ndërkaq një nga partitë opozitare që nuk merr pjesë në punimet e parlamentit, Partia Social Demokrate thotë se do t’u propozojë deputetëve të opozitës kërkesën që bashkë të bëjnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, për të cilin ata thonë se është një ligj antikushtetues dhe në kundërshtim me normat evropiane.

                                                                             ****

Udhëheqësia e Malit të Zi analizon situatën e sigurisë në vend. Forcimi kadrovik dhe avancimi teknologjik, mbetet qëllim primar i Qeverisë.  

Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq, inistri i Brendshëm Mevludin Nuhoxhiq dhe drejtori i drejtorisë së policisë Sllavko Stojanoviq në një takim kanë diskutuar lidhur me situatën e sigurisë në Mal të Zi. Sipas tyre situata e përgjithshme e sigurisë në Mal të Zi është e kënaqshme dhe në përputhje me interesat nacionale dhe përkundrejt tentativave të herëpashershme për keqësim të situatës si pasojë e konflikteve të grupeve kriminale. Kryeministri Markoviq ka uruar të gjithë pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme dhe atyre të drejtorisë së policisë dhe ka nënvizuar se rezultatet e arritura dhe puna kualitative e policisë dhe e shërbimeve përkatëse kanë bërë rritjen e shkallës së sigurisë gjë që pranohet dhe nga ana e qytetarëve, e kjo ka ndikuar që të rritet besimi tek policia si institucion që ata më së shumti kanë besim. Në takim po ashtu është shprehur nevoja për forcimin e mëtutjeshëm me kuadro dhe avancimin e pajisjeve teknike të drejtorisë së policisë me qëllim që ajo të jetë në gjendje që të përballet me të gjitha sfidat. U tha po ashtu se edhe me buxhetin e vitit 2018-të duhet parashikuar që të krijohen parakushte për sigurimin e pajisjeve kualitative të shërbimeve përkatëse që do t’i kontribuojnë sigurisë së qytetarëve dhe pasurisë së tyre.

                                                                         ****

Ulqini pjesëmarrës në Panairin e Investimeve Munich 2017

Një delegacion i komunës së Ulqinit i kryesuar nga Kryetari Nazif Cungu po merr pjesë në panairin ndërkombëtar të investimeve Munich 2017. Aty pritet të bëhet prezantimi i projekteve të investimeve në këtë komunë bregdetare. Për të parën herë aty do të prezantohet edhe programi i investimeve. Projekti filmik nga terreni dhe katalogu disa dhjetëra faqesh sjellin pamje, kolazh dhe të dhëna të detajuara për vendet, ku mund të investohet në territorin e Komunës së Ulqinit. Ky është fryt i punës disamujore, ku ekspertë të angazhuar hedhin në qarkullim një material të munguar prej kohësh me synim të veçantë që Ulqinit t’i jepet një imazhi i një qyteti kompleks turistik, novator dhe i zhvilluar. Programi i investimeve që do të prezantohet në “Munich 2017” dallon nga ai i qyteteve të tjerë të Malit të Zi pasi në të janë përfshirë dhe pronarë tokash dhe projektet që parashihen të realizohen në pronën e tyre. Përndryshe Panairi i Munihut nga autoritetet komunale shihet si një mundësi e re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Ulqinit.

                                                                ****

Në Podgoricë u hap Panairi i tretë Ndërkombëtarë i Librit, pjesëmarrës të këtij edicioni edhe botime dhe shkrimtarë nga Turqia.

Në Podgoricë u hap Panairi i Tretë Ndërkombëtarë i Librit. Ky aktivitet zhvillohet në organizim të sekretariatit për kulturë dhe sport të Podgoricës dhe me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit të Qeverisë së Malit të Zi. Ky manifestim, që cilësohet si festë e librit tubon një numër të madh të botuesve, krijuesve dhe adhuruesve të fjalës së bukur. Ditët e Panairit janë të mbushura me aktivitete të shumta dhe takime të drejtpërdrejta me krijuesit. Me një stendë të veçantë në këtë panair prezantohet edhe Instituti Yunus Emre me publikimet nga Turqia. Sot publikut do t’i prezantohen shkrimtari Imdat Avshar (İmdat Avşar) dhe poeti Mehmet Fidanxhë (Mehmet Fidancı). Me ta është paraparë të zhvillohet një bisedë, e cila dot të përkthehet në gjuhën zyrtare e ku vëmendje do t’i kushtohet krijimtarisë së tyre letrare. Përndryshe letërsia, arti figurativ, muzika dhe kinematografia turke vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e opinionit në Mal të Zi. Artistë, ekspozita, dhe takime me krijues janë pothuajse të përjavshme dhe atë falë organizimit nga Instituti Yunus Emre në Podgoricë.

- Përgatiti për TRT Shqip, Vera ALIBEGU KATANA –



Lajme të ngjashme