Prishtina mbetet e përkushtuar në dialogun me Beogradin

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri tha të premten se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun për fqinjësi që po zhvillohet në Bruksel, duke theksuar se njohja reciproke mes dy shteteve.

Prishtina mbetet e përkushtuar në dialogun me Beogradin

Ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, tha të premten se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun për fqinjësi që po zhvillohet në Bruksel, duke theksuar se njohja reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë është faktor përcaktues për paqe të qëndrueshme në rajon, raportojnë mediat kosovare.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi me ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Daniel Mitov, me të cilin bisedoi për zhvillimet në rajon dhe perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit.

Në këtë takim, ministrja Tahiri tha se Kosova dhe Bullgaria janë vende mike dhe përkrahja e Bullgarisë për pavarësinë e Kosovës dhe njohja e shpejtë përbëjnë një vlerë të madhe në marrëdhëniet mes dy shteteve.

Tahiri tha se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt të ardhmes euroatlantike dhe përkrahja e Bullgarisë në këtë drejtim ka rëndësi për Kosovën.

Tahiri tha se e vlerëson lart kontributin e shoqërisë civile të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare për ndriçimin e rezultateve të dialogut dhe përfitimet që nga ky dialog kanë pasur në mënyrë direkte qytetarët, komunitetet, Kosova dhe rajoni në përgjithësi.

Nga ana e tij, Mitov theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bullgarisë duhet të thellohen në të gjitha fushat dhe veçmas në fushën e ekonomisë.

Ai tha se dialogu nuk ka alternativë mes vendeve të rajonit për një të ardhme euroatlantike dhe se Kosova ka shënuar progres të madh në këtë drejtim.



Lajme të ngjashme