Thellohet kriza politike ne Shqipëri

Krye i kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka ftuar pasditen e të mërkurës partitë parlamentare në një përpjekje për zgjidhjen e krizës politike. Por ftesa e tij është refuzuar nga Partia Demokratike.

Thellohet kriza politike ne Shqipëri

Opozita shqiptare refuzon kryetarin e kuvendit Metën, nuk merr pjesë në tryezë

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha thirri në selinë e PD-së kryetarët e partive opozitare, në një takim ku u diskutua nëse do të merrej pjesë apo jo në tryezën e thirrur nga Meta.
Disa minuta pas nisjes se takimit, është larguar një nga kryetarët e partive të vogla.

Lulzim Basha konfirmoi vetë gjithçka ishte i gatshëm të lëshojë kryeministri shqiptar, Edi Rama në negociatat e së martës.
“...Edi Rama e bëri të qartë se është gati të dorëzojë 4  ministra, KQZ-në, se është gati të dorëzojë zyrtarë të policisë, por nuk është gati të dorëzojë karrigen e tij...”,
Më tëj kreu i opozitës shqiptare, Basha tregoi se  çfarë kërkoi opozita me negociatorët ndërkombëtarë.
“...Kemi kërkuar qeveri teknike me kryeministër teknik, me ministra teknik, të cilët gëzojnë besimin e të gjitha palëve politike. Nuk kemi qenë përjashtues, përkundrazi,  u kemi propozuar që propozimet për emrin e kryeministrit teknik, të vijnë nga partia më e madhe e mazhorancës, sigurisht me miratimin e opozitës, siç është tradita e qeverive teknike...”.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama akuzoi kreun e opozitës si përgjegjës për dështimin e negociatave për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri të ndërmjetësuar nga eurodeputetët e Parlamentit Evropian.

Ai tha se nuk ka kuptim asnjë dialog me opozitën nëse kjo e fundit voton vettingun.

Nga ana tjetër, një ditë pas ndërmjetësimit mes palëve për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, ka reaguar kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister (EPP).

Nëpërmjet një statusi në facebook,  McAllister bën të ditur se “pas tryezës nuk u gjet konsensus për çështjen thelbësore, të datës së zgjedhjeve dhe formimin e mundshëm të një qeverie teknike”.

Sipas tij, duhet kapërcyer bllokada politike, pasi në vend ka krizë serioze politike që rrezikon zgjedhjet. “Në Shqipëri, një krizë serioze politike po rrezikon zgjedhjet e planifikuara për në qershor. Në Tiranë, ndërmjetësova dje(të martën) mes qeverisë dhe opozitës. Ka pasur përparim në disa fusha. Por nuk ka konsensus për çështjen thelbësore, të datës së zgjedhjeve dhe formimin e mundshëm të një qeverie teknike. Tani duhet ta kapërcejmë bllokadën politike”, deklaron eurodeputeti.

Vlen të përmendet se zëvendëspresidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE), David McAllister dhe Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein zhvilluan të martën një vizitë në Tiranë në përpjekje për uljen e palëve në dialog dhe arritjen e një kompromisi për krizën politike në Shqipëri.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme